Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, në Tiranë do të organizohen një sërë aktivitetesh social kulturore, e cila do të kulmojë me “Paradën e Shkollave”.

Për të garantuar mbarëvajtjen e këtyre aktiviteteve dhe për t’i dhënë mundësi qytetarëve që të festojnë qetësisht, Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit, ka marrë të gjitha masat për devijimin e qarkullimit të automjeteve në disa prej rrugëve, ku janë planifikuar zhvillimi i aktiviteteve.

Bashkia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për devijimin e qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në orën 12:30 për mbarëvajtjen e aktivitetit kulturor “Parada e Shkollave” në segmentet e mëposhtme:

-Sheshi “Nënë Tereza”; Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” deri në kryqëzimin me Bulevardin “Bajram Curri”.

Përsa i përket sheshit “Nënë Tereza” dhe segmentit të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, qarkullimi i automjeteve, mjeteve të emergjencës dhe Policisë së Shtetit do të bëhet në rrugët “Lek Dukagjini”, “Ibrahim Rugova” dhe “Papa Gjon Pali II”.

Mjetet e transportit publik do të devijohen në rrugën “Ibrahim Rugova” për në Bulevardin “Bajram Curri”.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook