Mësuesit do i nënshtrohen provimit të shtetit, i cili zhvillohet në ambientet e Qendrës së Shërbimeve Arsimore.

“Gazeta Shqiptare” zbardh sot emrat e 1180 aplikantëve që do të testohen në profilin Arsim Fillor, Matematikë-Fizikë, Anglisht, Frëngjisht, Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Biologji-Kimi, Kimi, Histori-Gjeografi, Histori, Informatikë, Matematikë-Informatikë dhe Shkenca Sociale si dhe datat përkatëse për secilin. Gjithashtu, gazeta publikon edhe kalendarin e provimeve të shtetit në profesionin e mësuesisë për sezonin mars-prill 2019.

Kandidati duhet të paraqitet në QSHA 30 minuta para fillimit të testimit. “Ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me letërnjoftim (kartë ID ose pasaportë) për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal); kopje të kartës ID ose pasaportë; faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit për llogari të QSHA, nga një bankë të nivelit të dytë/postë (sipas faturës për arkëtim të publikuar në faqen zyrtare të QSHA) sipas herës së pjesëmarrjes; si dhe kopje të diplomave të programeve të ciklit të parë dhe të dytë të studimeve të përfunduara prej tyre, si dhe njohjen e tyre nga MASR, në rast përfundimi të programeve të studimit jashtë shtetit”, – thekson QSHA.

Ndërkohë, kandidatët të cilët nuk janë pajisur me diplomë të ciklit të dytë të studimeve, duhet të paraqesin një vërtetim nga universiteti përkatës, ku konfirmohet shlyerja e të gjitha detyrimeve, përfshirë edhe gjuhën e huaj, sipas akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi.