Mbarë opinioni publik në Greqi por dhe në Shqipëri u trondit ditën e djeshme nga vrasja e 28-vjeçares shqiptare Anxhelina Petro nga babai i saj, për shkak se ishte e dashuruar me një djalë afgan.

Në një intervistë për mediat greke mjekja ligjore Hrisavgji Kushi ka thënë se vajza është goditur 7 herë me një shufër hekuri dhe i kishte duart lart si për tu mbrojtur.

“28-vjeçarja është goditur të paktën 7 herë në kokë me shufrën e hekurit. Nga këto goditje vihet re tension, urrejtje. Duket se viktima ka ngritur duart për të mbrojtur fytyrën, vazhdonte ta qëllonte dhe në duar. Pastaj ky prind pastroi shtëpinë nga gjaku, fshehu sendet personale dhe e varrosi në kopsht. Si mundet një prind të jetë kaq gjakftohtë para një akti të tillë? Kjo vrasje më ka lënë pa fjalë, nuk ishte thjesht një incident, ishte shumë e egër, shumë brutale”, deklaroi mjekja ligjore.

Ndërkohë, avokati i Aleka Petros, Vasilis Nulezas ka deklaruar për median greke se “Media përshkruan gabim tiparet e vrasësit”.

Mes të tjerash avokati tha se 52-vjeçari kishte një dashuri patologjike për vajzën.

“Vajza kjo e fundit i kërkonte që mos të ndërhynte shumë në jetën e saj. Viktima ishte larguar nga nëntori 2017 nga shtëpia, për të jetuar e pavarur, pa e informuar për jetën që bënte. Këtë nuk e duronte dot klienti im, besoj se është çështje e psikologjisë së tij, nuk kishte ushtruar dhunë më parë, e donte vajzën e e tij. Është i dërrmuar psikologjikisht dhe nuk besoj se do ja dalë mbanë me procesin gjyqësor. Nuk ishte vrasje me paramendim, ndodhi në tension e sipër, pas një debati të ashpër”, pohoi avokati.

LEXO EDHE:  Kapen dy "skifterët" shqiptarë në Greqi, ja stili i veçantë që përdornin për grabitjet