Korrupsioni në Shqipëri është tre herë më i lartë se në vendet e tjera të Europës Lindore dhe Azisë qendrore. Nuk ka krahasim me vendet e BE ku duam të hapim negociatat për anëtarësim. Shifra më e lartë në rajon vjen nga Banka Botërore  në raportin e saj të fundit ‘Vrojtimi i sipërmarrjeve’. Në raport jepet alarmi për nivelin e lartë të korrupsionit në 6 vitet e fundit në Shqipëri.Në pyetësorin e kryer me bizneset ne Shqipëri, rezulton se 36.1% e tyre kanë pranuar se është kërkuar ryshfet nga ana e zyrtarëve të paktën një here.

Por kërkesa për ryshfet në Shqipëri është tre herë më e lartë se mesatarja e Europës Lindore dhe Azisë, e cila arrin në 11.9 % ndërsa ajo globale është 17.4%. Bizneset janë pyetur edhe për kontaktet që kanë me autoritet fiskale nga të cilat rezulton se 34.6% e firmave duhet te japin dhurata ne takime me zyrtaret e taksave një shifër kjo gati katër  herë më e lartë se vendet e Europës. Sipas raportit korrupsioni nga zyrtarët publikë mund të jetë një barrë e madhe administrative dhe financiare për firmat duke krijuar një mjedis të pafavorshëm të të bërit biznes dhe rrit kostot dhe rreziqet që lidhen me drejtimin e një firme private.

Banka Botërore kryen të ashtuquajturin vrojtimi i sipërmarrjeve në të gjitha vendet e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore ku kompanitë pyeten për çështje kyç që lidhen me klimën e biznesit si korrupsioni, taksat, krimi.Ky raport i Bankës Botërore publikohet një herë në gjashtë vjet dhe treguesit e tij kanë një përkeqësim gati dyfish nga raporti i fundit i vitit 2013.