Mbrëmjen e djeshme ristartoi edhe për këtë sezon emisioni mjaft i dashur për fëmijët por jo vetëm, “Në kurthin e Piter Pan”, i drejtuar nga moderatorja simpatike Alketa Vejsiu.

Një nga të ftuarat e mbrëmjes ishte edhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli e cila u përball me pyetjet e “pafajshme” të fëmijëve protagonistë të programit.

Plot kurioziet fëmijët e “bombarduan” me pyetje ish-kryeparlamentaren, ndër të cilat pikasi pyetja se nëse do t’i rikthehejapo jo edhe njëherë politikës.

Topalli në përgjigjen e saj theksoi se i ndiqte vazhdimisht zhvillimet politike në vend por  u shpreh se nuk e di nëse do të rikthehet ose jo më në politikë.

Unë do të gënjeja po të thoja që nuk e ndjek politikën, e ndjek në çdo moment. Do doja shumë që të ishte ndryshe, do doja shumë që të bënte kujdes për këta fëmijë dhe për prindërit e këtyre fëmijëve, të ishte më e vëmendshme. E kam për të gjithë fëmijët, nuk bëj diferenca.

Do kisha dashur që të ishte më me dashuri dhe më normale. Nuk e di a do të kthehem… por është si një lloj droge, unë e ndjek në çdo moment. Shpesh mërzitem, shpesh mendoj se gjërat duhen ndryshuar tërësisht. Ndonjëherë mendoj që ky vend nuk bëhet, por pastaj them përse nuk bëhet, ky vend bëhet që ç’ke me të, mjafton që ta duash”- u shpreh Jozefina Topalli për fëmijët e programit “Në kurthin e Piter Pan”.