AKU ka sekuestruar rreth 115 kg mish qengji dhe keci të therura në mënyrë të jashtëligjshme në një stall bagëtish në fshatin Sopot të Delvinës.

Në një njoftim të publikuar bëhet me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në vijim të masave për disiplinimin e therjeve dhe të tregtimit të mishit në funksion të sigurisë ushqimore ka sekuestruar gjatë pasdites së sotme 115 kg mishi qengji dhe keci në 23 karkasa , të therura në mënyrë të paligjshme në një stallë bagëtish në pronësi të shtetasit Adem Seriani në malin Sopot të Delvinës.

Trupa inspektimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit Qarku Vlorë , gjatë kontrollit në këtë stallë bagëtish ka sekuestruar në mënyrë të menjëhershme 23 karkasat e qengjave dhe kecave në masën e 115 kg . Për therje dhe tregtim të mishit në mënyrë të paligjshme, trupa inspektuese e AKU-së ka marrë masën administrative ndaj këtij shtetasi me vlerën e 100 mijë lekëve dhe gjithashtu ka bërë edhe bllokimin e menjëhershëm të aktivitetit.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i vendosur për të gjurmuar dhe ndaluar çdo therje jashtë thertoreve edhe në zonat më të largëta, inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast therjeje apo tregtimi jashtë standardeve.

Në këto ditë festash trupat inspektuese të AKU-së janë duke instensifikuar kontrollet në te gjithë territorin, për të parandaluar çdo tentativë abuzimi. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët.

LEXO EDHE:  Vdes aksidentalisht polici, qëllon veten me armë ndërkohë që ishte për gjah

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook