Ballina Aktualitet 100 mijë mjete lëvizin pa siguracion, në muajin qershor nis aksioni masiv...

100 mijë mjete lëvizin pa siguracion, në muajin qershor nis aksioni masiv ndaj tyre

Në qershor, Policia e Shtetit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të nisin një aksion në terren për identifikimin e të gjitha automjeteve që qarkullojnë pa siguracion.

Aksioni vjen në një moment kur shifra zyrtare e automjeteve që qarkullojnë pa siguracion është në nivele shqetësuese në rreth 100 mijë të tilla.

Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare Ervin Koci, tha se fillimisht janë evidentuar 6 mijë automjete që qarkullojnë pa siguracion, të cilat do të jenë në shënjestrën e policisë.

Kryetari i AMF, Ervin Koçi, dje në Komisionin e Ekonomisë

“Numri i mjeteve të pasiguruara vazhdon të jetë i njëjtë dhe numri i mjeteve të paidentifikuara që shkaktojnë dëme, vazhdon të jetë i madh. Edhe ulja e mjeteve të pasiguruara sigurisht që është në fokus të punës sonë të përditshme. Për këtë kemi bërë të vendosim në funksion ato marrëveshje që nuk kanë qenë zbatuar më përpara mes Policisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor. Ne kemi zhvilluar një takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të identifikuar 6 mijë mjetet dhe për t’ia kaluar Policisë së Shtetit dhe në muajin qershor kemi plan veprimi të përbashkët për kontrolle midis shoqërisë së sigurimit, Drejtorisë së Policisë dhe Autoritetit”, u shpreh Koçi.

Kreu i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tha se nga 535 mijë makina të regjistruara në vend, 431 mijë makina janë të siguruara.

“Gjatë 2017 kemi pasur komunikime të vazhdueshme me Ministrinë e Transporteve dhe Policinë e Shtetit për të marrë të dhëna edhe nga kompania që kolaudon makinat. Që nga muaji shtator 2017, çdo dy javë i nisim informacion Policisë së Shtetit për mjetet e Transportit që nuk kanë sigurimin e detyrueshëm dhe ato mjete që nuk kanë rinovuar kontratën 14 ditë pas përfundimit të tyre. Kjo ka dhënë dhe rezultatet e veta, pasi po të shikojmë në vitin 2017, në qoftë se në Republikën e Shqipërisë numri i mjeteve të regjistruara është 535 mijë, numri i mjeteve që kanë paguar taksën është 447 mijë dhe numri i kontratave TPL-ve është rreth 431 mijë. 19.5 për qind janë mjetet e pasiguruara dhe 3.64 për qind janë mjetet që nuk kanë paguar taksën e qarkullimit”, u shpreh kreu i AMF-së.

LEXO EDHE:  Incident i rrallë në Tiranë, frenimi i fortë i shoferit të autobusit hedh "tuç" 3 pasagjerët

Informaliteti në tregun e sigurimeve është edhe një nga shkaqet, që kompanitë zvarrisin kompensimin e qytetarëve, në raste aksidentesh.

Ky fakt ka bërë që të akumulohen borxhe të papaguara ndër vite nga Byroja e Sigurimeve, në shumën 1.7 miliard lekë, ndonëse kompanitë kanë nisur të paguajnë këto borxhe, tre prej tyre rezultojnë se nuk po e zbatojnë vendimin e AMF, por kjo e fundit nuk ka marrë masë për penalizmin e tyre.

Pas miratimit të ligjit të ri, kush nuk do të paguajë siguracionet e makinës, përveç dënimit me gjobë rrezikon edhe sekuestrimin e mjetit.

Makina do të sekuestrohet nga Policia Rrugore dhe do t’i kthehet pronarit vetëm pasi të ketë paguar siguracionin e detyrueshëm.

Në tregun e sigurimeve operojnë 8 kompani. Por ndonëse tregu ndër vite ka shfaqur anomali të theksuara,  askush nuk është penalizuar, ndërsa viktima janë vetëm konsumatorët.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook