Ballina Aktualitet Abuzime në administratë, ja shkeljet nga raporti i KLSH

Abuzime në administratë, ja shkeljet nga raporti i KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka publikuar dje shifrat ku tregohen abuzimet nga auditimet që janë kryer gjatë periudhës janar-shtator 2017.

Abuzimet e administratës shtetërore me fondet e buxhetit të shtetit për vitet 2014-2016 kapin vlerën e 720,5 milionë eurove.

Dëmi ekonomik është shkaktuar nga abuzimet në fushën e të ardhurave dhe shpenzimeve.

KLSH në raportin e saj tregon se çdo ditë në buxhetin e shtetit humb 2.7 milion euro. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar penalisht 83 zyrtarë dhe ka kërkuar dhënien e 1,014 masave disiplinore.

SHKELJET

Shkeljet e konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit me të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik me vlerë 69 milionë euro. Për këtë dëm të konstatuar, KLSH ka rekomanduar për shpërblim dëmi shumën 5,601.6 milionë lekë.

Po ashtu, vlera 2,864.5 milionë lekë është pagesë e kryer nga OSHEE-ja për CEZ A.S., i cili nga Kontrolli i Lartë i Shtetit vlerësohet si dëm ekonomik pa mundësi arkëtimi. “Janë konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 86,961 milionë lekësh, afërsisht 651,3 milionë euro, nga e cila: 81,244 milionë lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 608,5 milionë euro.

Dhe 5,717 milionë lekë, afërsisht 42,8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 96,188 milionë lekë ose afërsisht 720,5 milionë euro. Për vitin 2016, rritja e detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave (borxhi tatimor dhe doganor), si dhe skemës së sigurimeve shoqërore është në vlerën 51,175 milionë lekë ose 41% më e lartë se viti 2015”, thuhet në raportin e KLSH-së.

PRONA SHTETËRORE

Abuzimet më të larta janë konstatuar me pronën shtetërore, doganat dhe prokurimet. Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi se 30 për qind e dëmit të zbuluar është zbuluar në riblerjen e pasurisë shtetërore. “Nëse do të analizojmë dëmin sipas sektorëve, vërejmë se niveli më i lartë i dëmit për këtë periudhë është ai i shkaktuar në administrimin e pronës shtetërore, në vlerën 2,769,696 mijë lekë, ose 30 për qind e vlerës totale të dëmit të zbuluar; dhe në riblerjen e pasurisë shtetërore në vlerën 2,864,592, mijë lekë, ose 31 për qind.

LEXO EDHE:  Zbulohet arsyeja pse Pjetër Ndrecaj vrau gruan dhe vajzën e tij të mitur

Dëmi i konstatuar në realizimin e të ardhurave në dogana është në vlerën 1,752,816 mijë lekë, ose 19 për qind, pasuar me 12 për qind në fushën e prokurimeve, sektor që mbetet me një risk të lartë, për sa kohë shkeljet nuk lidhen vetëm me dëmin e zbuluar, por edhe me mungesën e efektivitetit të një sistemi të plotë që siguron prokurimin e mallrave, punimeve dhe shërbimeve. Administrimi i pronës shtetërore është zona më me risk dhe tregon se keqadministrimi ka vijuar, pa reflektuar përmirësim apo përgjegjshmëri menaxheriale në këtë sektor”, shpjegohet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

KALLËZIMET PENALE

Për periudhën janar–shtator 2017, KLSH ka depozituar në organet e Prokurorisë 29 kallëzime penale, nga të cilat 10 dosje janë për vlerësim. Numri i personave të kallëzuar penalisht në këto kallëzime penale arrin në 83. Në total, për periudhën 2012-2017, institucioni ka dërguar në Prokurori për abuzime flagrante me fondet publike 229 raste, ose mesatarisht një kallëzim penal në javë apo një kallëzim në çdo tri auditime, ose 1.5 herë më shumë se numri i kallëzimeve penale për 10 vitet e marra së bashku, 2002-2011.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook