Ballina Aktualitet ARRSH nis punimet në dy rrugë, ja ku do të bllokohet qarkullimi

ARRSH nis punimet në dy rrugë, ja ku do të bllokohet qarkullimi

Gjatë ditës së nesërme, e hënë, nisin punimet në dy akse rrugore, në Shkodër dhe Lezhë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia e Qarkullimit Rrugor informojnë se duke nisur nga dita e nesërme, datë 10 shtator, në kuadër të projektit të mirëmbajtjes me performance të Bankës Botërore do të fillojnë punimet për rehabilitimin e dy segmenteve tjera rrugore, përkatësisht atë Shkodër-Murriqan dhe Lezhë-Shëngjin.

Ndërhyrja rehabilituese në aksin Shkodër (Ura e Bunës)-Murriqan

Ndërhyrja parashikon prishjen e shtresave ekzistuese asfaltike, zëvendësimin e nënshtresave në çakëll dhe stabilizant, realizimin e të gjithë shtresave të reja asfaltike në gjithë gjatësinë e rrugës dhe vendosja e sinjalistikës rrugore e masave të sigurisë rrugore.

ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë aks rrugor. Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.

Ndërhyrja për stabilizimin e skarpatës në Lezhë-Shëngjin (Knallë)

Ndërhyrja parashikon instalimin e barrierave mbrojtëse ndaj rënies së gurëve. Gjatë ditës së Hënë do të bllokohet dhe devijohet trafiku në rrugën nacionale Lezhë-Shëngjin në të dy senset e lëvizjes në vendin e quajtur Knallë ku edhe do te kryhet ndërhyrja . ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor u kërkojnë drejtuesve të mjeteve sa vijon:

Lëvizja e te gjitha mjeteve në drejtim me destinacion Shëngjinin të devijohet majtas në Knallë në aksin rrugor Knallë- Kunë. Gjithashtu drejtuesit e mjeteve në drejtimin nga Shëngjini në Lezhë duhet të devijohen djathtas në aksin rrugor Knallë- Kunë

Punonjësit e autoritetit Rrugor Shqiptar, Policisë së Qarkullimit Rrugor dhe firmave të mirëmbajtjes do të jenë me njësi të përqendruara në terren për mbarëvajtjen e ndërhyrjes dhe orientimin e trafikut.

LEXO EDHE:  Krimet e pasionit/ Tronditën mbarë opinionin publik, historitë e femrave që u vranë nga ish-partnerët