Ballina Aktualitet Arta Marku largon nga Durrësi prokurorin, Gjana nuk i bindet urdhërit

Arta Marku largon nga Durrësi prokurorin, Gjana nuk i bindet urdhërit

Kryeprokurorja Arta Marku ka urdhëruar sot largimin e prokurorit të Durrësit dhe dërgimin e tij në Pukë, mirëpo Agron Gjana e ka kundërshtuar këtë vendim, duke refuzuar bindjen ndaj urdhërit të saj.

Kryeprokurorja Arta Marku po çmonton një e nga një brenda një kohe të shkurtër të gjitha drejtuesit e prokurorisë. Arta Marku ka ndryshuar deri tani 10 prokurorë nga pozicionet e tyre drejtuese.

Sot në mesditë u mësua largimi i drejtuesit të prokurorisë së Durrësit. Agron Gjanaj shkarkohet nga detyra dhe degdiset prokuror i thjeshtë në një nga rrethet më të largëta, atë të Pukës. Më herët ajo largoi edhe Prokurorin e Elbsanit, të Fierit e Kukësit.

Gjana e ka kundërshtuar këtë vendim, ashtu siç bëri edhe Dritan Gina i Elbasanit. Këta dy prokurorë refuzojnë ti binden urdhërit të Markut.

Njoftimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme

Në vijim të procesit për riorganizimin dhe rritjes së performancës të organit të akuzës, Prokurori i Përgjithshëm, znj. Arta Marku nënshkroi ndryshimet si më poshtë:

Duke filluar nga dita e sotme, datë 09. 01. 2018,

Z. Agron Gjana, Drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, largohet nga kjo detyrë dhe caktohet në pozicion të përkohshëm si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Pukë.
Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, caktohet zj.Donika Prela, aktualisht prokurore pranë kësaj prokurorie.

Z. Dritan Gina, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;

Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, caktohet prokurori, z.Ardjan Nezha.

Z. Pali Deçolli, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;
Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, caktohet prokurori, z.Fatmir Lushi.

Z. Artur Ismailukaj, Drejtues i komanduar i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, i ndërpritet komandimi dhe kthehet si prokuror në Prokurorinë ku është i emëruar;

Drejtues i Përkohshëm i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, caktohet prokurori, zj.Alketa Nushi.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook