Ballina Aktualitet Deputeti i PD: Qeveria merr borxhe në emër të shqiptarëve dhe në...

Deputeti i PD: Qeveria merr borxhe në emër të shqiptarëve dhe në fund…

Nga Hekuran Hoxhalli

Kuvendi sot u bë arenë e konfliktit politik. Përplasjet herë të stisura e herë të koklavitura politike po e vënë opozitën përpara situatave pa zgjidhje dhe po e detyrojnë të përballet me tema jashtë rendit të ditës. Këtë gjë ju e keni ndjekur drejtpërdrejt, ndaj unë nuk po marr më shumë nga vëmendja juaj.

Por Kuvendi ka dhe rend dite me çështje nganjëherë të ndjeshme apo të rëndësishme. Rreth tyre kolegët e mi opozitarë dhe unë bashkë me ta kemi qendrime, të cilat zgjedhësit tanë duhet t’i njohin, sepse ndaj tyre kemi detyrimin e përfaqësimit dhe para tyre japim llogari.

Sot Kuvendi kishte në rend të ditës, midis të tjerash, miratimin e projektligjit për ratifikimin e një marrëveshje financiare për projektin me objekt “Studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”, me një hua të butë në shumën 2.100.000 Euro. Debati rreth këtij projektligji ishte i rëndësishëm, jo vetëm se ka lidhje me borxhe që merren në emër të shqiptarëve dhe që në fund shqiptarët do t’i paguajnë, por edhe sepse nisma binte erë të fortë korrupsioni dhe ndaj korrupsionit askush nga ne nuk duhet të rrijë indiferent.

Ndaj dua të ndaj me ju qendrimin që kisha përgatitur për seancën e sotme parlamentare.

Gjykimi është i juaji.

***

Nëpërmjet këtij projektligji synohet ratifikimi i një marrëveshje financiare, për projektin me objekt “Studime fizibiliteti, hartim dhe planifikim në nivel përfundimtar dhe studim të ndikimit mjedisor në fushën e infrastrukturës”, me një hua të butë në shumën 2.100.000 euro.

Duket si lajm i mirë për gjithë ato kompani konsulence që operojnë në fushën e mjedisit. Qeveria po mer një kredi me interes zero dhe të tilla shumë rrallë mund të gjesh. Deri këtu është për t’u duartrokitur.

LEXO EDHE:  Thyejnë dyert me leva, hajdutët në Durrës intensifikojnë grabitjet në banesa

Tani shtrohet pyetja: çfarë do të bëjë qeveria me këto para????

Do të studiojë, hartojë dhe planifikojë ndikimin e mjedisit në infrastrukturë???? Të gjithë ata që kuptojnë nga zanati, e dinë se ështe infrastruktura që ndikon në mjedis (prandaj kërkohen studime, që të minimizohet impakti, ndikimi negativ mbi mjedisin kur ndërtohen rrjete të ndryshme të infrastrukurës), por e kundërta nuk ndodh kurrë, sepse s’ka kuptim. Të pretendosh se mjedisi ndikoka në infrastrukturë është krejtësisht absurde. Prandaj, të dashur shoqe dhe shokë socialista, (apo “specialista”, siç ju quante Kryetari i ndjerë Arbnori, sa herë donte t’ju përmendte vesin që keni), mbajeni mend këtë projektakt, se nuk është projektligj, siç ka titullin, por barcaletë, siç ka formulimet. Veçse barcaleta që doni të miratoni ka kosto, kosto dhe dëm, plot 2 milion Euro.

Arsyet pse po sillni për miratim këtë turp të teknikës juridike shumica nga ju nuk i dini. Ata që i dinë nuk i tregojnë. Duket sikur dikush ju ka lënë në derë një thes me para dhe ju ka ftuar t’i merrni, me kusht që të shkruani ca letra sa për justifikim. Puna është se Letrashkruesi (ministër, zv.ministër, më poshtë apo më lart, kjo nuk dihet) do jetë turbulluar nga pamja e thesit me para dhe nga perfytyrimi se u futkan kaq kollaj në xhep 2 milion Euro, saqë e ka humbur toruan dhe ka shkruar veç budallallëqe.

Ndoshta është diku në shpellat e korrupsionit qeveritar ndonjë kompani e liçencuar si kompani unike që ka aftësinë të studiojë ndikimin e mjedisit në infrastrukturë, në dallim nga moria e kompanive që studiojnë gjënë që mund të studiohet, ndikimin e infrastrukturës në mjedis, dhe ju ia keni bërë gati thesin me para që ta kapë e vetme, pa tender, pa konkurrim dhe pa negociim.

LEXO EDHE:  Policia e Durrësit ka prangosur 32-vjeçarin, gjykata jep dënimin (Emri)

Ndoshta ky projekt është puna që doni të bëni sot, për t’i hapur rrugë aferës korruptive qe keni bërë gati për nesër. Ndryshe nuk shpjegohet dot fakti se projektet infrastrukturore, për të cilat do harxhoni këto 2 milion Euro, d.m.th.:

  • projekti për zgjerimin e Rrugës Milot-Shkodër (dyfishimin-dublimin e aksit Rrugor);
  • ai për Krijimin e Lidhjes direkte Vaqarr-Kavajë
  • dhe ai për Realizimin e By-pass-it të Elbasanit,

janë njëkohësisht projekte të planifikuara te programi 1 miliard euro dhe si të tilla do të kryhen me PPP. Rrjedhimisht, është detyrim ligjor i kontraktorit t’i hartojë këto pjesë ose faza të projekteve. Ju nuk keni nevojë të merrni as kredi të fortë, as kredi të butë për të bërë këtë punë. Aq më tepër, kur ai që ua ka sjellë këtë barcaletën për miratim e di ndërkohë, se hartimi i njërit prej tyre është përfunduar nga kandidati që i është premtuar konçesioni.

Ndoshta i gjithë ky projekt është në vetvete korrupsion. Ndryshe nuk ka kuptim që e prezantoni si nevojë për financim studimi mjedisoro-infrastrukturor, ndërkohë që në relacion flisni per projektim të mirëfilltë rrugësh. Unë besoj se kaosin Letrashkruesi nuk e ka bërë as pa dashje, as nga pakujdesia. Kaosi duhet, sepse vlera e studimit mjedisor për të tre projektet në fjalë të marra së bashku, çfarëdo çmimi reference të zgjidhni, nuk është kurrë 2 milion Euro, por nënfish i ulët i saj. Sipas rastit, Letrashkruesit mund t’i duhet nesër të thotë i kemi harxhuar per studim mjedisor, ose të thotë kemi bërë projekte rrugësh. Gjithësesi, që të mos thotë, na autorizoi parlamenti që dy milion Eurot t’i bënim rrush e kumbulla, po ju pyes sot publikisht: ku doni ta çoni thesin me para, se per studime mjedisore nuk ju duhet?

LEXO EDHE:  Qytetari dhe Berisha bëhen një, denoncojnë deputetin që nuk paguan energjinë elektrike (Emri)

Ju jeni gati të na shkelni syrin e të thoni: hë se kredi e butë është, me interes zero po e marrim, çkeni që e bëni kaq të madhe?! Kështu u sollët dhe në komision. Puna është, se une nuk ju shkel dot syrin dhe nuk ju mirëkuptoj.

Së pari, se korrupsioni, korrupsion ngelet sado ta rrisësh, apo zvogëlosh. Mos na e bëni të vogël dhe mos na e shisni për barcaletë!

Së dyti, 2 milion Eurot që kërkoni të fusni në xhep me miratimin tonë, thesi me para që përfytyroni kur shihni këtë projektakt, janë para që në fund i paguajne kokërr më kokërr shqiptarët, me apo pa interes. Nëse i ka zënë ky hall me ju, të paktën të përfitojnë në punë apo të mira publike nga këto para, jo tua bëni rrush e kumbulla me letra bakalli.

Në përfundim më duhet t’u bëj një thirrje kolegëve deputetë: mos e miratoni këtë turp e këtë barcaletë që ju kanë vënë përpara, se është fyerje e rëndë për inteligjencën, por edhe për dinjitetin dhe integritetin tuaj si deputete. Kryeministri, nëse e kanë gënjyer, e ka të lehtë të verifikojë faktet dhe të terheqë menjëherë projektligjin, se faktet nuk gënjejnë, vartësit po. Nëse Kryeministri nuk e bën këtë, atëherë Letërshkruesi është ai vetë, dhe lekët nuk i do për studime mjedisore.

Popullin nuk e gënjen dot!

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook