Ballina Aktualitet Dëshmia e Moisi Habilajt në Itali, ja çfarë tha për Tahirin dhe...

Dëshmia e Moisi Habilajt në Itali, ja çfarë tha për Tahirin dhe 3 policët e Vlorës

 

Vizita në Catania të Italisë e dy prokurorëve shqiptarë Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara, nuk ka sjellë produktivitet për sa i përket pritshmërisë së tyre për të dëgjuar live dëshminë e të arrestuarve Moisi Habilaj, Meridian Sulaj dhe Nazer Seitaj.

Tre të arrestuarit nga karabinierët Italianë për trafikimin e sasive të mëdha të drogës nga zona e Karaburunit në Vlorë në drejtim të brigjeve siçiliane në Itali,nuk kanë preferuar të japin përgjigje, për sa i përket lidhjeve të tyre me politikën dhe më konkretisht Saimir Tahirin. Mësohet se Moisi Habilaj, i cilësuar si lideri kryesor i këtij trafiku, ka refuzuar ti përgjigjet pyetjes së prokurorëve shqiptarë nëse ishte favorizuar ndonjëherë ose jo, nga ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.

Po kështu Habilaj ka zgjedhur të heshtë dhe të kërkojë të mos përgjigjet, për sa i përket servisit të moto-skafit që Tahiri ka udhëtuar në ishullin e Kurfuzit dhe Lefkadha, ku pas prishjes së motorëve, shërbimin në servis e ka ndjekur personalisht Moisi Habilaj. Gjatë intervistimit Moisi Habilaj ka pranuar se ka pasur njohje me Sokol Boden, Gjergji Kohilën dhe Jaerd Çelën, që të tre në poste drejtuese në Drejtorinë vendore të Policisë në Vlorë. Nga sa mësohet Habilaj ka sqaruar se me efektivët e policisë është takuar disa herë, por këto takime nuk janë kryer për qëllime kriminale, por ka shpjeguar se kanë qenë takime rastësore, pasi janë takuar rastësisht me miq të përbashkët.

Në fakt pyetja e Habilajt për llogari të krimeve të Rënda është realizuar edhe 6 muaj më parë, ku prokurorët shqiptarë i dërguan disa pyetje me letërporosi homologëve të tyre Italianë. Një ndër pyetjeve Moisi Habilaj, ka shpjeguar duke pranuar se kishte njohje me Saimir Tahirin, pasi e kishte kushëri të largët, por vetëm kaq. Në këtë përgjigje Habilaj sqaron se nuk është ndihmuar nga Saimir Tahiri në trafikun e drogës.

Por kësaj pyetje direkte nga prokurorët Besim Hajdërmataj dhe Vladimir Mara, Habilaj ka refuzuar ti përgjigjet. Pyetjeve të prokurorëve u janë përgjigjur dhe të arrestuarit Meridian Sulaj dhe Nazer Seitaj, të cilët kanë dhënë shpjegime për sa ij përket mënyrës së veprimet në Shqipëri, bashkëpunimit të tyre me policinë e Vlorës dhe episode e trafikut të drogës të dokumentuara tashmë nga policia dhe prokuroria e Catanias.

/Shqiptarja.com/

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook