Ballina Aktualitet Dëshmia për audio-përgjimin, Bardhi tek Krimet e Rënda: Ja çfarë dëshmuam

Dëshmia për audio-përgjimin, Bardhi tek Krimet e Rënda: Ja çfarë dëshmuam

Këshilltari ligjor në Partinë Demokratike, Gazmend Bardhi ka folur jashtë ambienteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Ai foli pas dëshmisë që ka dhënë bashkë me deputetin Ervin Salianji në lidhje me audio-përgjimin ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në një deklaratë për mediat pas daljes nga Prokuroria, Bardhi tha se ka deklaruar të tgjitha ato që ka thënë në publik, dhe i bën thirrje organit të akuzës të çoj hetimet në drejtimin e duhur.

Bardhi kërkoi që Prokuroria të fusë hetimet në drejtimin e duhur dhe se ai bashkë me Salianjin ka deklaruar për gjithçka që janë pyetur nga Prokuroria mbi faktet e bëra publike.

Këshilltari i PD-së u shpreh se Prokuroria duhet të kishte sekuestruar ekspertizën pasi kjo ndihmon hetimet.

Pjesë nga deklarata:

Siç ju e dini ne sot ishim në cilësinë e personave që kemi apo që mund të japim të dhëna mbi hetimin që ka nisur Prokuroria e Krimeve të Rënda. Sigurisht që faktet dhe argumentat tona tashmë janë publike. Jemi përpara një rasti të dokumentuar të abuzimit me pushtetin nga ministri i Brendshëm dhe qeveria për llogari të një veprimtarie kriminale të vëllait të ministrit të Brendshëm.

Unë jam jurist dhe sigurisht që do të bashkëpunoj me organin e Prokurorisë sa herë që të thirrem por nuk mund të rri dot pa shprehur shqetësimin tim që kjo është Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka për detyrë të luftojë krimin e organizuar dhe trafikun e drogës dhe shtetasi i dyshuar si i përfshirë në trafik droge që është vëllai i ministrit të Brendshëm nuk është marrë ai i pari në pyetje por jemi marrë ne që denoncojmë rastin.

Nuk është marrë në pyetje ministri i Brendshëm që i lehtëson veprimtarinë kriminale vëllait por jemi marrë ne që e denoncojmë rastin. Nuk është marrë në pyetje akoma Kryeministri që ka krijuar një alibi publike ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm se gjoja zëri në materialin audio nuk është i Agron Xhafajt. Por ndërkohë nuk ju bën ju me dijeni dhe besoj se ju nuk e keni aktin e ekspertimit.

Dhe prokuroria do të duhet të kishte sekuestruar këtë material privat, siç e quan kryeministri sepse është një e dhënë që i ndihmon hetimet. Prandaj edhe thirrja ime publike ndaj organit të Prokurorisë është që të fusë hetimet në drejtimin e duhur që i ngarkon ligji. Dhe drejtimi i duhur që i kërkon ligji është të ndëshkohet në mënyrë spektakolare individët e përfshirë në krim të organizuar dhe individët që bëjnë trafik droge. Rasti është publik bëhet fjalë për vëllain e ministrit të Brendshëm.

Ju konkretisht çfarë deklaruat?

Ne deklaruam gjithçka u pyetëm dhe gjithçka që kemi bërë publike me fakte dhe prova edhe gjatë këtyre ditëve.

Ju konkretisht për çfarë u pyetët?

Për gjithçka që kemi bërë publike mbi faktet dhe materialet që ne i kemi bërë publike. Të njëjtat fakte dhe materiale sigurisht që Prokuroria i disponon dhe ne kemi dhënë sqarimet tona mbi këto fakte dhe mbi këto prova.

Publikuan audio-përgjimin për vëllain e ministrit, mbërrijnë për të dëshmuar në Prokurori deputetët e PD

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur për dëshmi në lidhje me audioregjistrimin e vëllait të ministrit Xhafaj, dy deputetët e PD-së dhe espertin ligjor, Gazmend Bardhi, që e bënë publike pak ditë më parë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook