Ballina Aktualitet E Fundit/ Meta akuza drejt policisë: Fshehën gëzhojën e dytë, ja u...

E Fundit/ Meta akuza drejt policisë: Fshehën gëzhojën e dytë, ja u them unë kush qëlloi në Shëngjin

Ilir Meta ka ashpërsuar akoma më shumë tonet ndaj atyre që mbështesin rilindjen në Lezhë dhe ndaj kreut të Policisë së Shtetit për incidentin e sotshëm në Shëngjin.

Një mbështetës i LSI-së, Florian Dushku u qëllua me armë nga tre persona, shumë pranë qendrës së votimit. Meta akuzon policinë se ka manipuluar ngjarjen dhe ka fshehur një gëzhojë nga sulmi. Ai deklaron se sipas tij Samuel Ndoka, Don Ndoka dhe Genc Hakica janë personat e dyshuar që kanë qëlluar me armë simpatizantin e tyre.

DEKLARATA E PLOTË E METËS

“Sikurse e kemi paralajmëruar edhe më parë dhe jeni të gjithë ju dëshmitarë dhe populli i Lezhës, bandat e rilindjes prej kohësh pasi mbushën gjithë Lezhën me drogë, si shpërblim tani kanë marrë nga kreu porosinë për të dhunuar qytetarët e Lezhës, për të deformuar votën e qytetarëve të Lezhës dhe për këtë kanë mbështetjen e policisë drogës, nën udhëheqjen e Haki Drogës. Ju e dini që është kërkuar edhe nga ministri zëvendësimi i shefit të komisariatit këtu, i cili bashkëpunon ngushtë me këta personat që janë në kërkim.

Por kjo gjë nuk ka ndodhur, pasi sipas Haki Drogës nuk ka prova të mjaftueshme, vetëm kur të vriten njerëz, Haki Droga mund ta marrë seriozisht këtë çështje. Sot në ditën e zgjedhjeve, në festën e demokracisë, këta banditë: Samuel Ndoka, i dënuar dhe në kërkim, Don Ndoka, i dënuar dhe në kërkim, dhe Genc Hakica, sot në Shëngjin kanë sulmuar me armë, kanë qëlluar, dy herë, jo njëherë siç thotë policia e drogës, drejt aktivistit të LSI, Florian Dushku. Dhe e kanë goditur edhe me pistoletë në kokë. Kjo ngjarje ka ndodhur vetëm 70-80 metra larg qendrës së votimit në Shëngjin, në mes të ditës dhe në prani të shumë dëshmitarëve.

Florian Dushku ka qenë i shoqëruar nga Gjovalin Tusha. E gjithë kjo ngjarje kriminale, ku tre banditë me armë kërcënojnë, dhunojnë, godasin aktivistet ë LSI për të terrorizuar të gjithë banorët e Lezhës që të vendojnë të nënshtruar nën banditët e rilindjes. Në këto kushte dua të them, e para kam ardhur këtu se u kam thënë lezhjanëve se do ta mbroj popullin e Lezhës nga bandat e rilindjes në rast se policia e Haki Drogës bëhet palë me bandat e rilindjes siç është bërë sot dhe gjatë kësaj kohe.

Tani do shkoj bashkë me Florian Dushkun në prokurori që të merren masa serioze për ndalimin dhe arrestimin e këtyre banditëve të rilindjes. Por do t’i kërkoj Prokurorisë së ndjekë edhe çështjen e policisë së Lezhës e cila mban përgjegjësi për mosveprimet e saj, dhe deklaratat e pavërteta. Janë dy gëzhoja nga dy armë të ndryshme, ndaj policia e Haki Drogës urgjent të dorëzojë edhe gëzhojën tjetër.

Nuk do ndalemi para asgjëje për të mbrojtur votën dhe jetën e qytetarëve të Lezhës.”