Ballina Aktualitet Euro hyn sërish në cikël rënës, edhe dollari zbret në 106 lekë

Euro hyn sërish në cikël rënës, edhe dollari zbret në 106 lekë

Monedha e përbashkët, i është kthyer sërish rënies në tregun vendas, pas një rritjeje të lehtë të disa ditëve më parë.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye sot me 132.04 lekë, me një rënie të lehtë prej 0.01 lekë në krahasim me ditën e mëparshme. Monedha e përbashkët ka qenë në rënie për katër ditë radhazi. Nëse rënia vazhdon, euro do i afrohetsërish nivelit më të ulët të 10 viteve, që u arrit dy javë më parë, në 22 shkurt, kur një euro u këmbye me 131.93 lekë.

Euro ka qenë e dobët në tregun e brendshëm këto dy muaj, ndryshe nga tendenca historike sezonale, kur monedha e përbashkët është e fortë në muajt e parë të vitit, për disa arsye:

Së pari, oferta për valutë në treg mbetet e lartë prej muajsh, ndërsa qarkullimi i lekut është i dobët, sipas vlerësimeve të ekspertëve të agjencive valutore.

Së dyti, strategjia e Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e euroizimit në ekonomi po ndikon në sjelljen e bankave dhe aktorëve të tjerë të tregut, që po shmangin euron.

Së treti, me afrimin e datave të pagesave të TVSH dhe sigurimeve ka një tendencë të bizneseve për të konvertuar valutë në lekë.

Aktorët e tregut presin që euro të vijojë tëjetë e dobët, sidomos me afrimin e verës, kur rritet oferta në valutë si rrjedhojë e prurjeve të emigrantëve.

Edhe dollari ka hyrë në cikël rënës, duke zbritur ditën e sotme në 106.9 lekë, duke treguar për fortësinë e monedhës vendase ndaj të gjitha valutave./monitor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook