Ballina Aktualitet FOTO/ Erion Veliaj “ngre” flamurin në Tiranë, festohet 106-vjetori i Pavarësisë së...

FOTO/ Erion Veliaj “ngre” flamurin në Tiranë, festohet 106-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë

Sot,Tirana përkujtoi 106-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në sheshin simbol të shqiptarëve, sheshi “Skënderbej”, nën tingujt e Bandës frymore të Tiranës dhe 400 nxënësve të cilët kënduan Himnin Kombëtar, u zhvillua ceremonia e ngritjes së Flamurit Kombëtar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili së bashku me dy fëmijë, ngriti simbolikisht flamurin në një ceremoni të shenjuar nga mijëra tullumbace kuq e zi dhe uroi të gjithë shqiptarët Gëzuar 28 Nëntorin, 106 Vjetorin e Pavarësisë. Mandej, Veliaj tha se historia ka treguar se pavarësisht minorancave të zhurmshme, progresi i Tiranës dhe i vendit nuk do të ndalet.

Teksa uroi gjithë shqiptarët për festat kombëtare, kryebashkiaku e cilësoi shpalljen e pavarësisë si aktin më sublim kombëtar historik dhe politik për gjithë shqiptarët.

“Sot është një ditë e bekuar, teksa festojmë 106 vjetorin e Ditës së Pavarësisë, e Ditës së Flamurit, festojmë 50-vjetorin e venosjes së monumentit të Skënderbeut në këtë shesh dhe përmbyllim me krenari dhe me sukses Vitin e Skënderbeut.
Asnjëherë mos e merrni të mirëqenë si një akt të thjeshtë dhe si një ngritje ceremoniale e një beze të kuqe me një shqiponjë dykrenore sepse për ne shqiptarët, në ato vite të trazuara me pushtuesit te dera, ka qenë në fakt akti më sublim kombëtar, historik dhe politik”, tha ai.

Në vijim të festimeve, Bashkia e Tiranës ka organizuar edhe një sërë aktivitetesh që do të vijojnë gjatë këtyre dy ditëve dhe do të kulmojnë mbrëmjen e së enjtes me Natën e Bardhë, me një koncert të madh në sheshin “Skënderbej”.