Ballina Aktualitet Gjiknuri inspekton punimet në nyjen e Milotit, ja sa don të përfundojë

Gjiknuri inspekton punimet në nyjen e Milotit, ja sa don të përfundojë

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka garantuar financimin e përfundimit të punimeve të mbetura në nyjen e Milotit dhe plotësimin me rrugët dytësore.

Qeveria ka akorduar një shumë prej 1.6 miliardë lekësh dhe tanimë punimet kanë rifilluar me synim përfundimin brenda një periudhe 15-mujore të të gjithë veprës infrastrukturore. Nyja është strategjike për trafikun, pasi lidh Rrugën e Kombit me aksin që shkon nga Tirana drejt Shkodrës.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri bashkë me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar Afrim Qendro ishin në kantier ku thanë se ndërsa punimet do të vazhdojnë, nyja do të fillojë të bëhet funksionale për kalimin e mjeteve, duke nisur nga muaji Gusht, me synim lehtësimin e trafikut të mjeteve në sezonin turistik.

“Ka pak ditë që është lidhur kontrata për përfundimin e punimeve të ngelura dhe plotësimin me rrugë dytësore për gjithë nyjen e Milotit. Është një vepër që ka shumë vite që ka filluar dhe kishin ngelur punimet të pabëra. Kjo nyje nuk mund të futej në shfrytëzim nëse nuk bëhej ky projekt i ri dhe kjo garë e re. E kemi nisur punën dhe përfundimisht brenda 15 muajve kjo nyje do të përfundojë me të gjitha zgjidhjet e plota teknike. Do të bëhen rrotull me 9 kilometra rrugë në gjithë zonën, që është përreth nyjes dhe gjithë komunitetet e bizneset do të kenë akses të plotë kalimi në përputhje me të gjitha rregullat dhe normat e qarkullimit rrugor. Ndërkohë që përfundimisht kjo nyje do të jetë funksionale dhe me elementët e sigurisë rrugore siç duhet”, nënvizoi Qendro.

Ministri Gjiknuri theksoi se po i jepet zgjidhje një problemi që ka filluar që në vitin 2011, pasi bëhet fjalë për një nga nyjet kryesore të trafikut në Shqipëri.

LEXO EDHE:  VIDEO/ Rikthehet taksa në "Rrugën e Kombit"! Ja sa do të paguajnë kuksianët

“Situata që ka qenë deri më tani ka qenë provizore dhe ka krijuar probleme të mëdha me trafikun. Me ndërhyrjet e shpejta dhe me financimet shtesë që mundësoi qeveria shqiptare, përfshirë dhe procedurën e re që sapo u përfundua dhe që u lidh kontrata, do të bëjmë të mundur që të paktën nyja të fillojë të funksionojë për periudhën e verës. Pavarësisht se vepra do të dojë më tepër se një vit që të përfundojë plotësisht”, u shpreh Gjiknuri.

Ai sqaroi se është komunikuar me kompaninë kontraktore që të bëjë të mundur fillimin e funksionimit të kësaj nyje që në muajin Gusht, brenda masave të sigurisë.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook