Ballina Aktualitet Hapet më në fund tenderi për Rrugën e Arbrit, kompanitë paraqesin ofertën

Hapet më në fund tenderi për Rrugën e Arbrit, kompanitë paraqesin ofertën

Rruga e Arbrit do të ndërtohet me koncesion dhe nga dita e sotme deri më 2 tetor çdo kompani e interesuar mund ta paraqesë ofertën e saj për ndërtimin e pjesës që akoma nuk ka përfunduar të rrugës që lidh Tiranën me Peshkopinë.

Tek faqja zyrtare e Prokurimeve Publike është shpallur edhe oferta për rrugën që do të ndërtohet në partneritet publik-privat. Fituesi do të shpallet në dhjetor pasi të jetë vlerësuar dokumentacioni i nevojshëm. Kompania që ka një avantazh të fortë është “Gjoka Construction” pasi vetëm pak muaj më parë kur qeveria ka miratuar dhënien me koncesion të rrugës e ka shpërblyer këtë të fundit me një bonus prej 10% të pikëve. Zbulojmë se edhe pse ky ndërtim do të bëhet me koncesion kalimi në këtë rrugë do të jetë falas.

Ky investim është pjesë e projektit të koncesioneve “1 miliard euro”, ku çereku i kësaj shume, 250 milionë euro, do të shkojnë për ndërtimin e Rrugës së Arbrit. Vepra do të financohet përmes një skeme të përbashkët, ku kompania do të financojë pjesën më të madhe të investimit, rreth 190 milionë euro, ndërsa 60 milionë do të paguhen nga qeveria.