Ballina Aktualitet Ilegal në Greqi, shqiptari mundohet të shpëtojë “kokën” nga policia, por gjen...

Ilegal në Greqi, shqiptari mundohet të shpëtojë “kokën” nga policia, por gjen vdekjen

Mbrëmjen e djeshme në Greqi ka ndodhur një aksident me pasojë vdekjen e 61-vjeçarit shqiptar dhe plagosjen e 3 të tjerëve.

Mësohet se 61-vjeçari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, kishte hyrë ilegalisht në Greqi së bashku me dy të rinj shqiptarë, të cilët kanë mbetur të plagosur në aksident.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Poiana në Greqi, teksa tre shtetasit shqiptarë po tentonin t’i shpëtonin policisë, e cila ishte vënë në ndjekje të furgonit me të cilin ata po lëviznin.

Sipas mediave greke, shtetasit shqiptarë kishin hyrë ilegalisht në shtetin fqinj, dhe mbrëmjen e së mërkurës rreth orës 20:30 kishin shkuar pranë banesës së shoferit grek, i cili kishte mundësuar kalimin e tyre në Greqi. Takimi me shtetasin grek, mësohet se u bë për t’i dorëzuar atij shumën e parave që i detyroheshin për kalimin e tyre në Greqi.

Pas kësaj, ata kishin hipur në furgon bashkë me shtetasin grek, 73 vjeç, dhe në këtë moment janë pikasur nga policia, e cila u ka bërë sinjale për të ndaluar. Por shoferi grek nuk i është bindur urdhrit të policisë, dhe ka shtuar shpejtësinë.

Për pasojë, furgoni që ai drejtonte u përplas me një automjet tjetër, duke shkaktuar vdekjen e 61-vjeçarit shqiptar. Të plagosur mbetën edhe dy të rinjtë shqiptarë 24 dhe 28 vjeç, si dhe shoferi grek.

Mësohet se 61-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital, ndërsa të lënduarit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook