Ballina Aktualitet Kërkimet arkeologjike në Durrës, zbulohen fragmente muresh të periudhës romake

Kërkimet arkeologjike në Durrës, zbulohen fragmente muresh të periudhës romake

Ekspedita arkeologjika shqiptare-franceze është ndalur për të tretin vit rradhazi në qytetin e Durrësit.

 Arkeologët kanë nisur gërmimet në Forumin Mesjetar, në një prej objekteve më të rëndësishme të trashëgimisë arkeologjike kulturore e historike.

Gërmimet kanë filluar këtë fillim jave dhe pas 4 ditësh, gjatë procesit fillestar të punës që ka të bëjë me pastrimin e sipërfaqes, ku do të sondohet nepërmjet gërmimeve arkeologjike, kanë dalë në dritë objekte që i përkasin një civilizimi më të vjetër se ai bizantin.

Specialistët kanë dhënë detaje rreth kërkimeve të tyre ku thonë se janë gjetur fragmente muresh që i përkasin shtresëzimit të periudhës romake.

Këto fragmente muresh janë zbuluar poshtë poshtë ndërtesës së teatrit “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Gërmimet, të cilat mbikëqyren edhe prej dy arkeologëve Brikena Shkodra dhe Eduart Shehi, po kryhen në pjesën jugore të Forumit për të bërë lidhjen midis banjave që i përkasin periudhës romake që gjenden poshtë Pallatit të Kulturës.

Pritet që ekspedita franceze të dalë në konkluzionet përfundimtare pas 1 muaji mbi zbulimet arkeologjike në Durrës.

Arkeologët shprehen se poshtë këtij civilizimi mund të gjenden edhe gjurmë të kulturës helenistike si dhe asaj ilire.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook