Ballina Aktualitet Lëvizja studentore, Presidenti Meta: Të reagojnë institucionet

Lëvizja studentore, Presidenti Meta: Të reagojnë institucionet

Në njoftimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, thuhet se Kreu i Shtetit po ndjek me vëmendje protestat e studentëve të universiteteve që janë ngritur kundër tarifave të vendosura për arsimimin e tyre dhe për provimet mbetëse, në disa qytete të vendit.

“Duke vlerësuar situatën e krijuar, Presidenti Meta u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve pergjegjëse të dëshmojnë ndjeshmërinë dhe pergjegjësinë e duhur në adresimin e çështjeve që shqetësojnë studentët, në përputhje me kuadrin ligjor dhe të frymës së dialogut për një zgjidhje sa më të shpejtë dhe të drejtë në interesin më të mirë publik”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Presidenti Meta gjithashtu thekson se “duhen bërë me shumë përpjekje për një arsim dhe edukim sa më cilësor, që garanton shanse të barabarta për të gjithë, pavarësisht mundësive të tyre financiare”.

“Rinia është aseti ynë më i çmuar kombëtar, ndaj dhe kujdesi ndaj shqetësimeve dhe aspiratave të tyre duhet të jetë prioritet i të gjithëve, sidomos i institucioneve”, ka deklaruar Kreu i Shtetit Ilir Meta.