Ballina Aktualitet “Little Albania”, shqiptarët krijojnë zonën e tyre në Nju-Jork

“Little Albania”, shqiptarët krijojnë zonën e tyre në Nju-Jork

USA New York Albanische Flagge (DW/A. Cama)

Nga dyqindmijë shqiptarë që kanë imigruar në Amerikë pas viteve ’90, një e katërta ka qëndruar në Nju-Jork. Dhe dy të tretat e tyre janë përqendruar në Bronx.

Nju-Jorku është stacioni i parë i emigrantëve shqiptarë që vijnë nga Evropa në Amerikë. Një pjesë e tyre qëndrojnë në këtë epiqendër zhvillimi në bregun lindor të kontinentit, shumë të hapur për të sapoardhurit. Pjesa tjetër vazhdon rrugën më tej për të shkuar në thellësi të Amerikës. Nga dyqindmijë shqiptarë që kanë imigruar në Amerikë pas viteve ’90, një e katërta ka qëndruar në Nju-Jork. Këta shqiptaro-amerikanë jetojnë në enklava shqiptare nëpër lagjet në Bronx, Staten Island, Queens, Brooklyn, të ngritura sipas zonave prej nga kanë ardhur nga Ballkani.

USA New York Little Albania in der Bronx (A. Cama)

Little Albania”

Dy të tretat e emigrantëve shqiptarë të Nju-Jorkut janë përqendruar në Bronx, ku kanë krijuar “Little Albania” në zonën e Pelham Parkway-it, Morris Parkut dhe Belmontes.

Vala e parë e imigrantëve shqiptarë ka ardhur në Bronx në fund të viteve gjashtëdhjetë dhe fillim të viteve ’70. Ata u zunë vendin familjeve italiane dhe irlandeze që ikën nga qyteti për një jetë më të qetë në periferi. Zona është kthyer tashmë në një nga komunitetet më popullore shqiptare të Amerikës.

Kur vijnë këtu imigrantët shqiptarë fillojnë punë të çfarëdoshme në ndërtim, restorante, dyqane, pastrim, administrim ndërtesash, shërbim ndaj të moshuarve. Ata që arrijnë një mirëqënie ecin në gjurmët e grupeve të tjera imigrante. Disa prej tyre kanë ndjekur biznesin me pasuritë e patundshme. Ata kanë blerë ndërtesa banimi gjatë krizës së vitit 1973, kur çmimet e pasurive të patundshme në Bronx ranë shumë, por edhe më vonë.

Një e treta e ndërtesave me apartamente në këtë pjesë të Bronxit janë të shqiptarëve. Me kalimin e kohës zonat u zhvilluan, kriminaliteti ra dhe lagjet e Bronxit janë kthyer në qendra komforte për familjarët. Familjet që kanë sukses ndikojnë në zhvillimin e zonës. Por, ashtu siç kanë bërë migrantët e etnive të tjera edhe shqiptarët e suksesshëm largohen nga Bronxi për të shkuar në zona më të pasura, më të qeta dhe me prosperitet më të lartë. Bronxi mbetet gjithnjë stacioni i parë i emigracionit, kur migrantët kanë shumë nevojë për njëri-tjetrin për fillimin e jetës në vendin e ri.

USA New York Albanisches Spezialitäten Restaurant (DW/A. Cama)Restorant me specialitete shqiptare

Arsimimi i fëmijëve prioritet

Ndihma që i japin njëri tjetrit migrantët është shumë e rëndësishme sidomos mes shqiptarëve, ku mungojnë organizatat e institucionalizuara në përfaqësimin e interesave. Punësimi, banimi, këmbimi i informacioneve bëhet ende në bazë të lidhjeve familjare dhe shoqërore, shpesh në kafene. Pjesa më e madhe e shoqatave dhe e organizatave merren me kulturë folklorike si ajo e dasmave dhe mexhliseve. Interesimi më i madh i grupit shqiptar të emigrantëve vazhdon të mbetet prosperiteti ekonomik.

Our Lady of Mt. Carmel Church in Bronx, New York (DW/Aida Cama)Kisha e shqiptarëve në Bronx

Me sigurimin e punës dhe banimit, arsimimi i fëmijëve mbetet një nga prioritetet e prindërve shqiptarë. Pjesa më e madhe e fëmijëve ndjekin shkollat publike, ku mësimi është falas. Kurse në gjuhën shqipe ofrohen pak. Interesimi më i madh mbetet tek integrimi në shoqërinë amerikane. Por shoqëria amerikane shihet shumë e kufizuar. Në familjet shqiptare asimilimi ndaj normave kulturore dhe sociale të shoqërisë amerikane është i lejuar. Ky asimilim shkon deri tek përshtatja ndaj obsesionit amerikan ndaj racave. Afinitetetin më të madh imigantët shqiptarë në Nju-Jork e kanë me imigrantët që kanë ardhur nga vendet fqinjë italianë, grekë, boshnjakë. Përzierja shqiptare me racat e tjera mbetet e dëshiruar vetëm brenda “white”. Por kjo nuk e pengon brezin e ri, sidomos të lindurit në Amerikë, që të ndjekë rrugën e vet të amerikanizimit. Këtë e sheh për shembull tek rap-istat shqiptarë të Nju Jork, produkti mbase më i sukseshëm i shqiptarëve të Amerikës./dw

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook