Ballina Aktualitet “Mamaja ime zemërflori, ishte e mira e botës…” fjalë e ndjera të...

“Mamaja ime zemërflori, ishte e mira e botës…” fjalë e ndjera të vajzës së gazetares që u nda nga jeta

Ndarja nga jeta në mënyrë të papritur e gazetares dhe shkrimtares Arlinda Canaj, ishte një lajm i dhimbshëm për kolegët e saj dhe të gjithë ata që e njihnin.

Por dhimbjen më të madhe e ka përjetuar familja e saj. Ndarjen nga jeta në mënyrë të parakohshme të gazetares së portalit “Konica.al”, e vuajnë më tepër dy fëmijët që ajo la pas.

Krenare për nënën e saj dhe plot dhimbje për humbjen e njeriut më të dashur në botë, vajza e saj ka shkruar disa rreshta të ndjerë në “Facebook-un” e nënës së saj.

“Mamaja ime zemërflori ishte e mira e botës, nuk njihte të këqija e ligësi në brendësinë e saj, dhe të keqes i kthehej me një urtësi që gjithmonë e karakterizonte!Fjalët e mira për të s’kanë fund, as dhimbja e madhe që na la pas!”, shkruan ndër të tjera vajza e së ndjerës, Pati.

Postimi i plotë
“Doja jashtë mase t’ju falenderoja për të gjitha ngushëllimet, mesazhet, mbështetjen, vlerësimin dhe durimin që keni treguar pas marrjes së këtij lajmi hidhërues!

Paçi veç të mira në jetë dhe ju falenderoj jashtë mase të gjithëve që shkruat sadopak rreshta për figurën e Nënës time të ndjerë, e pse jo me ne fizikisht do mbetet përherë në mendjet e zemrat tona, e të njerëzve të dashur, dhe atyre që e njihnin sadopak.

Mamaja ime zemërflori ishte e mira e botës, nuk njihte të këqija e ligësi në brendësinë e saj, dhe të keqes i kthehej me një urtësi që gjithmonë e karakterizonte!Fjalët e mira për të s’kanë fund, as dhimbja e madhe që na la pas!

Pavarësisht dhimbjes time, tonën si familje, dua t’ju ngushëlloj dhe unë vajza e saj plot krenari dhe t’ju them se më vjen keq për të gjithë ju që humbet një mike të rrallë e të shtrenjtë, dhe ata që jo të gjithë e vlerësuan si duhej por prapë mamaja ime e rrallë e kishte vetinë që të keqen ta kthente të mirë prandaj ishte e mira e të tjerëve e u bë e keqja e vetes nuk e shijoi dot këtë jetë në lule të rinisë!

Ju ngushëlloj të gjithëve ju, miq e shokë, kolegë e ju që e njihnit pa pasur muhabet, të dashurit tanë, dhe më lini të them se vuajtja për të nuk paska fjalë krahasimi, loti për nënën qenka i hidhur! Por dua t’ju them se ajo do mbetet e paharrueshme për ne, dhe pavarësisht mënyres se si u largua nga kjo botë dua që gjithësecili prej jush ta kujtojë atë siç ajo përcillte te ne atë frymën pozitive për një botë më të mirë e ta kuptoni se zgjodhi të çlironte shpirtin e saj drejt paqes!

Ahhh, sa fjalë ka kjo zemer e ky shpirt për ty moj bukuroshja ime, ti ishe e do jesh përherë muza ime dhe çdo fjalë tënden do vazhdoj ta përmbush derisa Zoti të më ketë dhënë frymë për të qëndruar e fortë e për të rritur vëllanë tim, dashuria jote për të cilin ishte e pafundme sepse është më i vogli! Vëllai im gjithashtu do të të bëjë krenare moj floriri jonë dhe uroj të jesh përherë me ne Engjëlli ynë mbrojtës! Ju ruajtë Zoti dhe e paçi jetën e gjatë !

Me respekt fëmijët e Arlindës (Patty &Kevin Haxhiaj ).”