Ballina Aktualitet “Mbarojnë” kursimet, ja çfarë ka ndodhur me depozitat bankare të shqiptarëve

“Mbarojnë” kursimet, ja çfarë ka ndodhur me depozitat bankare të shqiptarëve

Në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro.

2017-a rezulton të ketë qenë viti më i keq në historinë e pas viteve ‘90 për sa u përket kursimeve të bizneseve e individëve, duke reflektuar kryesisht uljen e normave të interesit, por edhe vështirësitë që kanë familjet të kursejnë, si rrjedhojë e rritjes së kostos së jetesës me ritme më të shpejta sesa të ardhurat.

Statistikat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i depozitave në fund të muajit nëntor 2017 ishte 997.5 miliardë lekë, apo rreth 7.3 miliardë euro. Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto të pritshëm për 2017-n, depozitat janë rreth 66.5%, duke iu larguar nivelit prej 70% e PBB-së të arritur vitet e kaluara.

Ndonëse në nëntor, depozitat shënuan zgjerim prej rreth 2.2 miliardë lekësh (+0.2%), në krahasim me muajin e mëparshëm, me bazë vjetore, rritja e depozitave ka qenë më e ulëta historike, që prej vitit 1992, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat dhe kur vendi nisi rrugën e ekonomisë së tregut. Në nëntor, depozitat u rritën me vetëm 0.05% me bazë vjetore (në raport me nëntorin 2016).

Ecuria negative e depozitave lidhet tërësisht me individët. Këta të fundit kanë tërhequr vitin e fundit rreth 30 miliardë lekë, apo rreth 220 milionë dollarë nga kursimet me afat në lekë, si rrjedhojë e interesave të pafavorshme. Pas uljes së vazhdueshme të normës bazë nga Banka e Shqipërisë, që prej shtatorit të vitit 2011, edhe kthimi vjetor që merret nga kursimet ka rënë vazhdimisht për të arritur në rreth 1% aktualisht për kursimet 12-mujore.

LEXO EDHE:  Artikulli i Daily Mail: Shqiptarët festojnë hyrjen në Angli me foto në Facebook

Kjo ka bërë që individët të kërkojnë për alternativa kursimi më fitimprurëse, si investime afatgjata (mbi 2 vjet), blerjen e letrave me vlerë të qeverisë, blerjen e pasurive të paluajtshme etj. Në krahasim me nëntorin e vitit 2011, kursimet me afat të rezidentëve kanë rënë me 94 miliardë lekë, ose gati 690 milionë euro. Depozitat e individëve me afat në lekë përbënin 26% të totalit në nëntor 2017, nga 40.5% që ishte kjo peshë në 2011-n.

Ndryshe nga individët, bizneset kanë rritur depozitat në banka, një tregues i formalizimit, por dhe faktit që sipërmarrjet po mendohen mirë përpara se të investojnë. Vetëm gjatë vitit të fundit, depozitat e korporatave të tjera financiare në total (euro e lekë) janë rritur me 15%, apo rreth 18.8 miliardë lekë (137 milionë euro).
Pavarësisht rënies, Shqipëria vijon të jetë një ndër vendet në zhvillim me nivelin më të lartë të kursimeve në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (aktualisht 66.5% e PBB). Gjysmat e kursimeve janë në monedhën e përbashkët.

Bullgaria ka depozita sa 68% e PBB-së, Kroacia me 64% dhe Mali i Zi me 60%. Në vendet e tjera, kursimet e popullsisë në banka janë minimale, ku më të ulëtin e ka Kosova, me 32% të PBB-së, Serbia me 42%, Bosnjë-Hercegovina me 50%. Pak më lart është Sllovenia me 53%.

Mesatarja e vendeve me të ardhura të ulëta e të mesme, sipas Bankës Botërore është rreth 43% e PBB-së dhe Europa në zhvillim e ka 41%.
Për nga niveli i depozitave në raport me PBB, Shqipëria i afrohet edhe vendeve të zhvilluara të Europës Perëndimore, ku p.sh., Italia dhe Franca e kanë këtë tregues midis 70 dhe 80% (Italia e ka 77%). Grekët janë më kursimtarë, me rreth 93% depozita në raport me PBB-në./monitor

LEXO EDHE:  Rama uron mëngjesin me një tjetër shkollë të rikonstruktuar, i kthehen komentuesit: Fëmijët po blejnë librat me lekë borxh

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook