Ballina Aktualitet Papa Françesku nuk harron të lutet dhe për shqiptarët, ky është mesazhi...

Papa Françesku nuk harron të lutet dhe për shqiptarët, ky është mesazhi mirënjohës i Presidentit Meta për Atin e Shenjtë

Ilir Meta i drejtohet Papa Françeskut me një mesazh, për mirënjohjen e thellë të shtetit shqiptar ndaj solidarizimit që Papa tregoi në Meshën e Shenjtë.

Ati i Shenjtë në Meshën e Shenjtë të së dielës u lut dhe për popullin shqiptar, i cili kaloi situatë katastrofale përmbytjesh gjatë reshjeve të para disa ditëve.

Lutjet e Shenjtërisë tuaj, “na mbushin me shpresë e besim dhe forcë e kurajë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit dhe për të qendruar më afër me njëri-tjetrin dhe familjeve, prindërve dhe fëmijëve të prekur nga pasojat e përmbytjeve”, shprehet Presidenti Meta.

Mesazhi i plotë:

“Shenjtëria Juaj,

Kam nderin e veçantë që në emër të popullit shqiptar t’Ju shpreh mirënjohjen time të thellë për mesazhin Tuaj gjatë Meshës së Shenjtë të ditës së djelë dhe fjalët Tuaja mbështetëse, solidarizuese e inkurajuese për popullin shqiptar dhe vendin tim të goditur së fundi nga moti i keq dhe përmbytjet e shkaktuara prej tij.

Lutjet Tuaja Shenjtëri dhe vëmëndja e kujdesi që Ju dhe Selia e Shenjtë vazhdoni të tregoni ndaj Shqipërisë, mua dhe popullin tim, na mbushin me shpresë e besim dhe forcë e kurajë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga përmbytjet e fundit dhe për të qendruar më afër me njëri-tjetrin dhe familjeve, prindërve dhe fëmijëve të prekur nga pasojat e përmbytjeve.

Ndaj me Ju, Ati i Shenjtë, mendimin se, të gjithë së bashku duhet të ndajmë më shumë përgjegjësi, të tregojmë vetëdije më të qartë e të kujdesemi me më shumë përkushtim ndaj Planetin Tonë të dashur, për të përballuar dhe luftuar fenomenin shqetësues të ndryshimeve klimatike, duke marrë vendime kurajoze të cilat, në të njëjtën kohë, do të luftojnë edhe varfërinë dhe do të ndihmojnë njeriun dhe shoqërinë njerëzore të zhvillohet dhe të begatojë më tej.

LEXO EDHE:  Dita Ndërkombëtare për Eleminimin e Diskriminimit Racor, Meta takim me studentët e komunitetit rom dhe egjiptian

Më lejoni t’ Ju siguroj sërish Ati i Shenjtë se ne jemi shumë të lumtur që ngjarje të rëndësishme historike dhe shpirtërore botërore qendrojnë në themelet e shëndosha të marrëdhënieve të veçanta institucionale mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.

Duke ju uruar jetë të gjatë dhe shëndet, ju lutem, pranoni Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”.

 
Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook