Ballina Aktualitet Para droge/ Policia sekueston biznes dhe pronë me vlerë 10 milionë euro

Para droge/ Policia sekueston biznes dhe pronë me vlerë 10 milionë euro

Policia e Shtetit, me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda ka sekuestruar prona me vlerë mbi 10 milionë euro dhe një kompani ndërtimi, që dyshohet se janë fituar nga trafiku i kokainës. Pronat janë regjistruar në emër të Luan Spahiut, 53 vjeç.

Spahiu rezulton i dënuar edhe më herët në vitin 2011 me 5 vite burg për trafikim të lëndëve narkotike nga Gjykata e Frajbugut. Spahiu është dënuar për trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga Kolumbia drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera. Paratë e fituara nga kjo linjë e trafikut të kokainës, dyshohet se Spahiu i kishte investuar në kompaninë e ndërtimit “Pinari” në Tiranë, si dhe në disa troje ndërtimi dhe sipërfaqe toke në Selitë dhe në rrugën “Naim Frashëri”. Pas hetimit të Prokurorisë, Gjykata vendosi që 32 apartamente me sipërfaqe 3400 m2 të sekuestrohen.

LEXO EDHE:  Denoncimi/ Ekstradimet, biznes i majmë i policisë, ja sa paguajnë të dënuarit që t'i shpëtojnë ekstradimit

Sekuestro u vendos edhe mbi tri njësi tregtare në të njëjtin kompleks, me sipërfaqe 230 m2. Po ashtu një vilë tri katëshe në rrugën “Hoxha Tahsim”, me sipërfaqe 340 m2, si dhe disa garazhde u sekuestruan. Gjykata vendosi të njëjtën masë për dy sipërfaqe trojesh në rrugën “Naim Frashëri” dhe në Selitë, përkatësisht 5600 metra dhe 18 mijë m2, si dhe tri automjete të shtrenjta.

Asetet e kompanisë Pinari dhe llogaritë bankare të kësaj kompanie, të Luan Spahiut dhe të të afërmeve të tij, u bllokuan deri në përfundim të procesit gjyqësor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook