Ballina Aktualitet Përfaqësuesi i FMN: Të unifikohet pragu për TVSH dhe tatim fitimin, të...

Përfaqësuesi i FMN: Të unifikohet pragu për TVSH dhe tatim fitimin, të anulohen përjashtimet fiskale

Përfaqësuesi i FMN-së në vendin tonë, Jens Reinke, pohon në një intervistë të posaçme për Monitor, se autoritetet shqiptare kanë futur në kurs të gabuar politikën fiskale.

Ai thotë se, duhet të eliminohen përjashtimet dhe normat preferenciale, duke sugjeruar unifikimin e pragut për TVSH dhe Tatimin mbi Fitimin.

Reinke thotë se akumulimi i detyrimeve të prapambetura dhe angazhimi i koncesioneve PPP mund të ndryshojë trajektoren e borxhit.

Ai tha se pragu i TVSH-së duhet të rritet dhe në këtë mënyrë, ndërmarrjet e vogla nuk përfshihen në raportime të detyrueshme dhe normat preferenciale të TVSH-së duhet të shfuqizohen.

Qeveria ka lajmëruar një paketë të re fiskale këtë vit. Sipas jush, a janë të drejta këto masa?
Këshilla jonë, në drejtim të politikës tatimore, ka qenë që të shmangen pragjet e shumëfishta për TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin, të eliminohen përjashtimet dhe normat preferenciale. Propozimet e fundit për ndryshime në politikën tatimore, që përfshijnë uljen e pragut të TVSH-së, rritjen e pragut përkundrejt një norme më të ulët të tatimit mbi fitimin dhe shtrirjen e trajtimit preferencial në agroturizëm, shkojnë në drejtimin e kundërt.

Ulja e pragut të TVSH-së krijon barrë të panevojshme administrative për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe krijon kosto të pajtueshmërisë për shumë ndërmarrje, kundrejt një rritje shumë të ulët potenciale në të ardhura. Rritja e pragut të xhiros vjetore deri në 14 milionë lekë në vit për aplikimin e normës preferenciale të tatimfitimit mund të shkaktojë humbje të konsiderueshme të të ardhurave, teksa krijon mundësi për shmangien e taksave. Përjashtimet dhe normat preferenciale e bëjnë sistemin tatimor më të ndërlikuar dhe shpesh më pak të drejtë. Barra shtesë administrative peshon rëndë në kapacitetin e kufizuar të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe mund të dëmtojë përpjekjet për të rritur pajtueshmërinë tatimore. Teksa buxheti ka rezultuar me deficit primar, borxhi publik nuk po ulet sipas parashikimeve. Pse po ndodh kjo dhe sa efektive ka qenë rritja e borxhit në këtë dekadë me më shumë se 10% të PBB-së?

LEXO EDHE:  Kishin ardhur për turizëm në Pukë, por çiftin austriak e gjen belaja nga "skifterët". Ja se çfarë i vodhën

Sipas të dhënave zyrtare, buxheti paraqitet me një tepricë primare të vogël në dy vitet e fundit dhe, nga ana tjetër, të dhënat mbi borxhin publik po tregojnë një trend tkurrjeje. Megjithatë, dinamika e borxhit dikton që politikat e matura buxhetore duhet të vazhdojë deri sa borxhi të bjerë në nivelin e parashikuar në ligjin e buxhetit organik. Ne shohim disa faktorë rreziku:
Koncesionet dhe PPP-të që qeveria ka nënshkruar kohët e fundit ose planifikon të ndërmarrë, të cilat përmbajnë zotime dhe garanci duke ndikuar në krijimin e detyrimeve kontraktore dhe detyrime potenciale. Këto do të kontribuonin në borxh edhe nëse do të ndiqeshin praktikat më të mira në kontabilitetin publik. Për më tepër, duket se po përshpejtohet edhe një herë akumulimi i detyrimeve të prapambetura gjë që mund të ndryshojë trajektoren e borxhit.

FMN gjeti detyrime të fshehura në masën 205 milionë euro. Sa e rrezikon stabilitetin fiskal?
Detyrimet e prapambetura janë rezultat i praktikave të dobëta të menaxhimit të financave publike, kryesisht të kontrollit të angazhimeve. Shumica e detyrimeve të prapambetura që Shqipëria akumuloi së fundmi kanë të bëjnë me rimbursimet e vonuara të TVSH-së dhe pagesat e vonuara të qeverisë vendore për mallra dhe shërbime.
FMN ka siguruar mbështetje të konsiderueshme për përmirësimin e kapacitetit të administratës për rimbursimin e TVSH-së, por koordinimi i mirë ndërmjet DPT dhe Thesarit duhet të intensifikohet për të siguruar që rimbursimet e TVSH-së të paguhen në kohë. Partnerët të tjerë po punojnë gjithashtu me qeveritë vendore për të përmirësuar kapacitetin fiskal. Detyrimet e prapambetura janë një formë borxhi dhe duhet të llogariten si të tilla, gjë që nuk aplikohet vazhdimisht në rastin e llogarive të qeverisë shqiptare. Akumulimi i borxheve të panjohura mund të kufizojë aftësinë e qeverisë për të shpenzuar në të ardhmen dhe të dëmtojë qëndrueshmërinë afatgjatë të borxhit publik.

LEXO EDHE:  "Kominikimi Javor" i Edi Ramës, në janar biznesi i madh do të marrë goditje të fortë

Çfarë këshilloni ju në lidhje me politikat fiskale?
Ekspertët tanë kanë këshilluar qeverinë që t’i përqendrojë më mirë përpjekjet për grumbullimin e të ardhurave dhe të thjeshtojë sistemin e taksave. Për këtë qëllim, pragjet e TVSH dhe të tatimit mbi fitimin duhet të unifikohen. Pragu i TVSH-së duhet të rritet dhe në këtë mënyrë, ndërmarrjet e vogla nuk përfshihen në raportime të detyrueshme. Normat preferenciale të TVSH-së duhet të shfuqizohen dhe përjashtimet nga TVSH-ja duhet të rishikohen. Një sistem taksash më i thjeshtë dhe më i drejtë do të zvogëlojë kostot e pajtueshmërisë të sektorit privat dhe do të lejojë administratën tatimore që të përqendrojë përpjekjet për një eficencë më të lartë në mbledhjen e të ardhurave. Gjithashtu, do të jetë e rëndësishme të rritet cilësia e shpenzimeve. Analiza më e mirë, dhënia përparësi dhe zbatimi i projekteve të investimeve publike do ta ndihmojnë Shqipërinë të maksimizojë përfitueshmërinë nga investimet. Ne kemi këshilluar qeverinë që të ndalojë të gjitha propozimet e pakërkuara për PPP-të. Procesi i vlerësimit të PPP-ve, përfitimet e tyre, qëndrueshmëria ekonomike dhe rreziqet fiskale duhet të forcohen urgjentisht. Së fundi, një fokus në drejtim të politikave arsimore do të jetë i nevojshëm për të përgatitur forcën e ardhshme të punës për sfidat e një ekonomie moderne./Monitor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook