Ballina Aktualitet Përfitoni masë më të lartë pensioni me anë të kësaj procedure

Përfitoni masë më të lartë pensioni me anë të kësaj procedure

Qytetarët që kanë mbushur moshën, kanë mundësi të përfitojnë një masë më të lartë pensioni (deri në 6%), nëse vazhdojnë të paguajnë kontributet. 

“I siguruari, i cili ka plotësuar kushtet për pension pleqërie, merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute”, – theksohet në ligjin “Për Sigurimet Shoqërore”. Më tej në këtë të fundit bëhet me dije se nëse përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë, sipas ligjit, llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.

Procedura, lehtësirat
Ndërkaq, Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se në funksion të lehtësimit të procedurave, qytetarët do e kenë më të thjeshtë për tërheqjen e kërkesave dokumentare, për aplikim për shërbimet e ofruara nga sigurimet shoqërore.

“Sqarojmë se mbështetur në VKM nr. 495, datë 13.09.2017 ‘Për miratimin e rregullave të përfitimit të shërbimeve publike elektronike’, Agjencitë Lokale të Sigurimeve Shoqërore, për të gjitha shërbimet që ofrojnë dhe pranojnë dokumentacion nga qytetarët nuk do të kërkojnë prej tyre depozitimin e dokumenteve të mëposhtme: të gjitha llojet e certifikatave që gjenerohen nga sistemi i gjendjes civile, dëshmi penaliteti, dokumente të cilat gjenerohen nga strukturat e sigurimeve shoqërore”, – nënvizon ISSH.

Kjo e fundit bën me dije se në çdo rast, punonjësit, të cilët do të aksesojnë të dhënat mund ta realizojnë këtë vetëm pasi të jenë pajisur me autorizim me shkrim nga ana e aplikuesit për këtë qëllim.

LEXO EDHE:  Akt terrorist në metronë e Stokholmit, raportohet një i vdekur dhe disa të plagosur

Përpunimi i të dhënave të përfituara nëpërmjet aksesit të drejtpërdrejtë kryhet në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Dokumentacioni do të gjenerohet nga portali ‘e-Albania.al’ dhe nga ndërveprimi i bazës së të dhënave të sigurimeve shoqërore me institucionet e tjera shtetërore.

“Gjithashtu, theksojmë se për sa u përket dokumenteve apo vërtetimeve për përdorim jashtë vendit, deri në një moment të dytë, kërkesa për këto dokumente do të vazhdojë të kryhet nëpërmjet Postës Shqiptare sha, drejtuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, thotë Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook