Ballina Aktualitet Pezullohen punimet në mbi 30 vendpunishte ndërtimtarie nga inspektorët

Pezullohen punimet në mbi 30 vendpunishte ndërtimtarie nga inspektorët

Në vazhdën e angazhimeve dhe masave të ndërmarra për rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), përmes Inspektoratit të Punës (IP), ka hartuar Planin Operativ për ngritjen e masave të sigurisë në vendet e punës, me theks në sektorin e ndërtimtarisë. 

Përgjatë dy javëve, në komunën e Prishtinës, ku është më i përqendruar sektori i ndërtimtarisë, gjatë inspektimit të rreth 160 vendpunishteve janë shqiptuar 14 gjoba (ato subjekte të cilat nuk i kanë zbatuar vendimet e inspektorëve nga inspektimet e mëherëshme), dhe janë ndërprerë punimet me masën e pezullimit të përkohshëm në 11 subjekte, thuhet në njoftimin e MPMS.

Pas vizitave dhe analizave të planit operativ të zhvilluar përgjatë dy javëve të kaluara, MPMS dhe IP kanë konstatuar se këto masa nuk kanë rezultuar të mjaftueshme në ngritjen e masave të sigurisë, gjithmonë në funksion të zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Duke pasur parasysh rastet e aksidenteve, lëndimeve dhe atyre me fatailitet, me kërkesë të ministrit të MPMS-së, Skender Reçica për zbatim të pakompromis të legjislacionit në fuqi, inspektorati i Punës nga dje ka vazhduar riinspektimet në këtë sektor, duke kërkuar nga subjektet zbatimin e plotë të masave të sigurisë (skelet) dhe pajisjet personale mbrojtëse, meqë rast është pezulluar puna përkohësisht në mbi 30 vendpunishte të ndërtimit.

Qëllimi i vetëm i aktivitetit të përqëndruar në sektorin e ndërtimtarisë, është rritja e masave të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit dhe jetëve të punëtorëve.

Për informim të qytetarëve dhe subjekteve që për veprimtari kanë sektorin e ndërtimit, ju njoftojmë se pezullimet e përkohëshme të punës në vendpunishte nuk janë shoqëruar me gjoba. Subjekteve u është dhënë vendimi për pezullim të punëve deri në plotësimin e masave të sigurisë, gjoba pason në rastet kur shkelet ky vendim nga subjektet.

LEXO EDHE:  Ish-juristi i CEZ shpërthen keq kundër Genc Rulit: Si karaputanë që je, ke mbi një vit që rri si i dhj*rë prej "karafilit"

MPMS dhe IP u bëjnë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë masat e përcaktuara me legjislacion rreth sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendin e punës dhe njëherë të gjithë punëtorëve që të raportojnë rastet kur të drejtat e tyre nuk respektohen dhe shkilen nga punëdhënësit. MPMS do të jetë e pakompromis në zbatimin e legjislacionit në fuqi, njofton MPMS. /Telegrafi/