Ballina Aktualitet Politika monetare e BSH, Sejko: Normat e ulëta të interesit nxitje për...

Politika monetare e BSH, Sejko: Normat e ulëta të interesit nxitje për kreditimin

Banka e Shqipërisë vijon të ndjekë një politikë monetare lehtësuese dhe të konsolidimit fiskal, duke dhënë impakt në norma të ulëta të interesit në tregjet financiare dhe likuiditetit në përmirësim të vazhdueshëm, me qëllim nxitjen e kreditimit.

Sipas Bankës Qendrore, norma mesatare e interesit të kredisë në lekë zbriti në nivelin 6.3% në muajin maj, duke ndihmuar uljen e kostove të kreditimit dhe duke stimuluar rritjen vjetore të kredisë në lekë me 6.6%.

Guvernatori i BSH-së Gent Sejko u shpreh sot se, pavarësisht efektit të kursit të këmbimit dhe nxjerrja jashtë bilancit të bankave të kredive me probleme, kredia totale për sektorin privat regjistroi një normë rritjeje vjetore prej 4.9% në muajt prill-maj.

“Ecuria e kreditimit vijon të ndikohet si nga kërkesa e ulët për kredi, ashtu edhe nga politikat ende të shtrënguara të kreditimit të ndjekura nga sektori bankar. Lidhur me këto të fundit, Banka e Shqipërisë gjykon se bilancet e bankave janë drejt shëndoshjes, sikundër ilustrohet nga rënia në 13.3% e raportit të kredisë me probleme në muajin maj”, tha Sejko.

Po ashtu, vijoi ai, rreziku i kredisë në vend vijon të shkojë drejt reduktimit, si pasojë e përmirësimit ciklik të ekonomisë dhe e masave të marra për zgjidhjen e kredive me probleme.

“Në këto rrethana, sektori bankar duhet të jetë më proaktiv dhe i vëmendshëm në plotësimin e nevojave afatmesme dhe afatgjata të ekonomisë për financim”, u shpreh Guvernatori.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook