Ballina Aktualitet Presidenti Meta për vitin 2018: “Koha për dialog të mirëstrukturuar për...

Presidenti Meta për vitin 2018: “Koha për dialog të mirëstrukturuar për çeljen e negociatave”

Presidenti Meta gjatë një interviste të dhënë, ka folur për planet që e presin Shqipërinë gjatë vitit 2018′ në lidhje me zhvillimiet politike brenda dhe jashtë vendit.

Në një intervistë të dhënë për gazetën ‘Albanian Daily News’, Presidenti i Republikës, SH.T.Z Ilir Meta, është shprehur për rrjedhimet e fundit në vend gjatë këtij viti, si dhe prtishmëritë e tij përgjatë 2018-ës.

Presidenti Meta, theksoi gjithashtu, se do të jetë koha për dialog të mirëstrukturuar për çeljen e negociatave të reja për vendin tonë.

Intervista e plotë:

Cilat janë pritshmëritë tuaja për zhvillimet politike në vitin 2018, ndërsa disa vendime të njëanshme të kësaj maxhorance, duke përfshirë ato në drejtësi, kanë ndeshur në shumë raste kundërshtimin e opozitës, e cila, nga ana e saj, ka njoftuar për një përshkallëzim të luftës politike, përfshi edhe protesta masive, duke filluar nga muaji janar?   

– Interesi më i lartë dhe i mirë i vendit janë: stabiliteti, forcimi i sigurisë kombëtare dhe pavarësia e institucioneve.

Kjo është, gjithashtu, pritmëria ime si President dhe thirrja ime e fortë për të përmbushur këto interesa nëpërmjet dialogut dhe bashkëpunimit të vërtetë. 

Ndërsa reforma në drejtësi është në një fazë shumë të rëndësishme, ajo duket e pozicionuar në një udhëkryq, e cila mund t’i japë një kuptim dhe besim të ri drejtësisë në Shqipëri, ose të keqpërdoret për të përshkallëzuar konfliktin politik.

Si President i Republikës unë mund të përsëris me forcë rëndësinë e zbatimit të reformës në përputhje me Kushtetutën dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, si garantuesi i vetëm i ndërtimit të institucioneve të pavarura të drejtësisë, që të jenë funksionale, të qëndrueshme dhe të pavarura. Po kështu, një luftë e menjëhershme, e fortë dhe efikase kundër krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij me qeverisjen publike është një përparësi kyçe e lidhur, jo vetëm me perspektivën evropiane, por çka është më e rëndësishmja, me të gjithë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit.

– Nëse përmblidhen disa nga konstatimet Tuaja, duket se ato janë pjesë e ”detyrës së shtëpisë” të vënë nga Bashkimi Evropian për të ndërmarrë hapin e mëtejshëm për të filluar bisedimet e anëtarësimit me këtë bllok. Cila është këshilla Juaj që të bëhet realitet kjo ëndërr e shqiptarëve?   

– Bashkimi Evropian ka parashtruar 5 përparësi të qarta si parakusht për të hapur bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë. Përparimi i arritur për zbatimin e shpejtë dhe të qartë të reformës në drejtësi, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, veçanërisht kundër kultivimit dhe trafikimit të marijuanës, të drejtat e pronës, reforma në administratën publike dhe respektimi e mbrojtja e të drejtave të njeriut do të shqyrtohen në muajin prill nga Komisioni Evropian para një vendimi përfundimtar të Këshillit të Evropës këtë qershor.

Sikurse ka vënë në dukje me dashamirësi Presidenti Tusk, Shqipëria ka shumë miq të mirë dhe të zellshëm ndërmjet anëtarëve të Bashkimit Evropian, të cilët vazhdojnë të na mbështesin për procesin tonë të anëtarësimit.

Megjithatë, entuziazmi i tyre nuk është i mjaftueshëm që t’i caktohet një datë vendit tonë për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit.

Ne duhet të prodhojmë një bilanc bindës faktesh dhe rezultatesh, që të provojmë përparimin e vërtetë të vendit.

Dua të theksoj rëndësinë që vetë Bashkimi Evropian po i jep Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Presidencës Bullgare, e cila ka përcaktuar perspektivën evropiane të rajonit si një ndër katër përparësitë kyçe të Presidencës së saj.

Megjithatë, ata kanë vënë në dukje së këto pritshmëri duhet të jenë realiste dhe brenda kuadrit të përparimit të mbështetur mbi meritën, që nënkupton më shumë punë dhe përgjegjësi nga ana e jonë.

Unë shpresoj se ky mesazh është perceptuar dhe kuptuar saktë nga të gjitha nivelet ligjbërëse në vend.

Ne nuk e kemi luksin që ta humbasim këtë mundësi të re gjatë Takimit të Nivelit të Lartë të Sofjes në muajin maj.  

– Në prag të Festave të Fundvitit Ju i dhatë nënshtetësinë shqiptare Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasios. Cilat ishin motivet që Ju shtynë të merrni këtë vendim, ndërsa paraardhësit Tuaj ia kishin mohuar atë?

– Në prag të Krishtlindjeve, me gëzim, unë njoftova vendimin tim për t’i dhënë Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Anastasios, me kërkesën e tij, nënshtetësinë shqiptare si një shenjë vlerësimi të kontributit të tij të jashtëzakonshëm për rindërtimin kanonik dhe shpirtëror të Kishës Ortodokse Autoqefale Të Shqipërisë. Fortlumturia e Tij është një personalitet tepër i veçantë, i cili ka lënë gjurmët e tij të shquara në rindërtimin e kishave, kultivimin dhe ruajtjen e traditave qindravjeçare të besimit ortodoks në Shqipëri.

LEXO EDHE:  ITALI/ Shqiptari hyn në telashe me policinë për patentë false, por ja çfarë ndodh kur i vjen vëllai për ndihmë

Shkolla, spitale, qendra për të moshuarit, rrugë dhe shtëpi kulture të reja në zonat rurale dhe urbane, që iu kanë ardhur në ndihmë jo vetëm besimtarëve ortodoksë por gjithë qytetarëve në nevojë. Ai është një njeri që udhëhiqet vërtet nga: besimi, dashuria, paqja, shpresa, mësimet e veprat hyjnore të Zotit. Dua, gjithashtu, të vë në dukje angazhimin e pastër të Fortlumturisë së Tij për të shkolluar dhe ndihmuar brezin e ri të klerit shqiptar, duke ruajtur kësisoj trashëgiminë ortodokse shqiptare dhe identitetin e saj të dallueshëm, i çliruar nga influencat e huaja, të padobishme dhe të rrezikshme ndaj bashkësisë ortodokse shqiptare dhe mbarë popullit shqiptar.

Unë nuk jam i vetëm që e konsideroj Fortlumturinë e Tij, Anastasios, si një njeri të madh të besimit, i përkushtuar për t’i shërbyer bashkësisë ortodokse shqiptare dhe vendit tim.

Jam prekur nga numri i madh i mesazheve që kam marrë prej personaliteteve dhe intelektualëve të shquar shqiptarë, duke përfshirë bashkësinë ortodokse, të cilët e kanë mirëpritur ngrohtësisht këtë dekret presidencial. 

Reagimi i tyre masiv ma ka përforcuar besimin tim se ky vendim ishte mbështetur jo vetëm mbi baza ligjore, por më tepër mbi një detyrim moral ndaj Kishës Autoqefale Ortodokse të Shqipërisë, bashkësisë ortodokse shqiptare, duke i shërbyer në të njëjtën kohë bashkëekzistencës dhe harmonisë së shkëlqyer të bashkësive fetare, ndaj të cilave ka kontribuar shumë Fortlumturia e Tij.

-Tashmë është bërë pothuajse si një “legjendë” letra që i keni shkruar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për sa i përket aktit të qeverisë shqiptare, e cila u rreshtua kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke votuar një rezolutë, e cila dënonte vendimin amerikan për ta konsideruar Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhjetorin e kaluar. Argumenti i Tiranës zyrtare pretendonte se ai ishte një akt i ndërmarrë edhe në vitet e mëparshme.

Zoti President, a mund të na tregoni motivet që Ju shtynë të ndërmerrni një hap të tillë historik, duke mos mbështetur vendimin e qeverisë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit?

 së dyti, duke parë se Uashingtoni e ka marrë shumë seriozisht një qëndrim të tillë, a mendoni se shqiptarët në Shqipëri, Kosovë dhe troje të tjera të banuara prej tyre do të kenë më pak mbështetje nga aleati strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës?

– Shqipëria është një vend modest në shkallë botërore.

Ne duhet të balancojmë mirë peshën tonë specifike në raport me partnerët dhe aleatët tanë, dhe aq më tepër kur është fjala për partnerët strategjikë.

Dy asetet tona më të mëdha në marrëdhëniet e jashtme janë modestia dhe besueshmëria.

Askush nuk duhet ta komprometojë këtë.

Besoj fort se ne të gjithë duhet të ruajmë me maturi dhe zgjuarësi besueshmërinë tonë ndaj aleatëve tanë strategjikë në më të mirën e interesave të shtetit dhe interesave tona kombëtarë.

Unë gjithnjë kam qenë për atë se për çështje të rëndësishme të politikës së jashtme, duhet të kërkojmë konsensusin më të madh të mundshëm jo vetëm brenda vendit, duke menduar se çështjet e faktorit shqiptar në rajon, duke përfshirë Kosovën, kërkojnë një përgjegjësi më të madhe për të ruajtur besueshmërinë ndërkombëtare dhe një partneritet afatgjatë.  

Si President i Republikës, unë duhet dhe do të jem transparent ndaj partnerëve tanë dhe opinionit publik mbi çdo vendim të rëndësishëm diplomatik, veçanërisht mbi çështje që lidhen me sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në këtë kuptim, është detyra dhe përgjegjësia ime të siguroj se nuk ka asnjë hije në marrëdhëniet tona me partnerin tonë më të rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara, me të cilin jemi gjithashtu të lidhur me një marrëveshje të partneritetit strategjik për çështje të sigurisë.

Për hir të këtyre marrëdhënieve të interesit jetik për Shqipërinë dhe të gjithë shqiptarët në rajon, mua më duhej të isha transparent në mesazhin tim të përgjigjes drejtuar Presidentit Trump, duke e siguruar atë për bashkëpunimin e palëkundshëm. Për më tepër, kjo ishte një votë e lidhur me një vendim sovran të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili nuk ishte ligjërisht detyrues për të gjithë vendet e tjera. Unë mbetem optimist se marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të mbështetura fort mbi këtë partneritet strategjik solid, në të mirë të interesave të të dy vendeve.

LEXO EDHE:  Masakra në Florida/ Detaje të reja, kamerat e sigurisë çorientuan policinë, transmetonin pamjen me vonesë (Video)

– Në vijim të pyetjes së mësipërme, si e shikoni, zoti President, të ardhmen e raportit Presidencë-Kryeministri-Kuvend në vitin 2018, meqenëse legjislativi është i dominuar nga maxhoranca?  

– Është e domosdoshme që çdo institucion të kryejë detyrat e funksionet e tij përkatëse, duke u mbështetur mbi Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi. Shqipëria po hyn në një fazë të rëndësishme të integrimit evropian dhe të gjitha përpjekjet duhen përqendruar për të kapur këtë mundësi më mirë herët sesa vonë. Është tamam koha për një dialog strukturor mbi reformat kyçe, që kanë nevojë për zbatim të shpejtë.  

– Shumë është folur për një kod etike në jetën parlamentare, politike dhe shoqërore në Shqipëri. Meqenëse ju qëndroni mbi partitë, a mendoni se Shqipëria është e përgatitur të vendosë disa standarde në Kuvend, por edhe jashtë tij, pasi politikanë të lartë të rangjeve më të larta janë ndër ofenduesit kryesorë të kundërshtarëve, gazetarëve dhe qytetarëve të thjeshtë, por çka është më e turpshme, janë ofendimet publike kundër grave të përfshira në politikë?

– Kultura e komunikimit publik në Shqipëri ka nevojë për përmirësim serioz. Ajo ka një efekt të drejtpërdrejtë mbi shoqërinë, madje edhe në komunikimin e përditshëm të njerëzve. Një kod etike në Kuvend dhe në vende të tjera pune vendos një standard të mirë dhe ndihmon, nëse nuk shmang, për minimizimin e gjuhës ofenduese dhe diskriminuese kundër të tjerëve.    

– Cila do të jetë në diplomacinë parlamentare “fryma”  Juaj duke pasur parasysh faktin se ju jeni marrë me politikën e jashtme në poste të ndryshme të mëparshme, duke përshirë atë të Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm?

– Shqipëria është një vend i NATO-s, një vend kandidat për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, partner në koalicione paqeruajtëse, anëtar i shumë organizatave ndërkombëtare etj. Agjenda diplomatike e zyrtarëve të lartë të vendit është më e ngjeshur se kurrë për të kryer detyrimet dhe përgjegjësitë e marra tashmë. Unë kam pasur gjithmonë një përkushtim të veçantë lidhur me përfaqësimin e imazhit dhe interesave të vendit jashtë, gjë që do ta vazhdoj, padyshim, për t’i pasqyruar ato në postin e Presidentit të Republikës. Unë e konsideroj të një rëndësie të veçantë nxitjen e marrëdhënieve të Shqipërisë me partnerët e saj strategjikë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Austrinë dhe Turqinë; gjithashtu me rajonin, duke pasur parasysh peshën në rritje të faktorit shqiptar në të. Unë e kam filluar tashmë mandatin tim me vizita zyrtare në: Itali, Gjermani, Kosovë, Maqedoni dhe kam përgatitur një agjendë të ngjeshur diplomatike për vitin 2018.

Përparësi gjatë këtij viti do të jetë lobimi për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian; gjithashtu, forcimi i marrëdhënieve dypalëshe në rajon në interesin më të mirë të vendit dhe të mbarë shqiptarëve. Dua të vë në dukje se bashkë me Presidentin e Kosovës, kemi vendosur një kanal shumë të mirë komunikimi që të bashkërendojmë përpjekjet për të arritur liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë sa më shpejt, si dhe për të rritur numrin e njohjeve të Kosovës dhe përfaqësimin në botë

Sikurse e përmenda edhe më sipër, do të jem shumë transparent dhe i hapur ndaj opinionit publik për agjendën time diplomatike dhe mbi çështje që u përkasin sigurimit dhe interesave kombëtarë.

– Zoti Meta, ju keni qenë një ndër figurat më të spikatura, megjithëse në moshë të re, që keni dhënë një kontribut të madh për Pavarësinë e Kosoves. Nga ana tjetër, është i njohur qëndrimi Juaj për të përmirësuar marrëdhëniet me Serbinë. Po të kthehemi prapa në kohë, është çast kulminant miqësia Juaj me të ndjerin Kryeministër të Serbisë, Zoran Xhinxhiç. Shumë analistë e kanë konsideruar atë si një nismë e parë të qëndrueshme diplomatike për të ulur tensionet midis Tiranës dhe Beogradit. Në këtë kuadër, është kuptimplotë mesazhi i Drejtores së Fondacionit “Zoran Xhinxhiç”, Ruziça Pavloviç Xhinxhiç kur u zgjodhët President i Republikës, në të cilin ajo shprehte bindjen në përpjekjet Tuaja për të forcuar dhe mbështetur lidhjet miqësore midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Në këtë sfond, por tani si Kryetar i Shtetit, cili është mendimi Juaj mbi të ardhmen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Serbisë dhe, në përgjithësi, në Ballkanin Perëndimor në frymën e “Procesit të Berlinit”?

LEXO EDHE:  VIDEO/ Plagosja e gazetarit Bledi Kasmi në protestë, ja si e komenton ngjarjen Rama për median franceze

– Para së gjithash, më lejoni të theksoj se një Kosovë e pavarur dhe sovrane është një realitet i vërtetë në rajonin tonë, dhe ky proces, sikurse është konfirmuar nga partneri ynë strategjik, Shtetet e Bashkuara Të Amerikës, është i pakthyeshëm. Është shumë e rëndësishme që ky realitet të pranohet më në fund edhe institucionalisht nga Serbia nëpërmjet procesit të dialogut të strukturuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Unë mendoj se i ndjeri, Kryeministri Xhinxhiç, ishte i pari në Serbi që pati vizionin dhe kurajën të njihte dhe pranonte këtë realitet, duke përgatitur terrenin për një epokë të re të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rajon. Që nga ajo kohë, rajoni ka ndryshuar thelbësisht, duke pasur brenda kufij të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, duke bashkëpunuar në formate dhe konfiguracione të ndryshme, duke përfshirë nismën e fundit të “Procesit të Berlinit”. Kam vënë re më kënaqësi se në zemrën e këtij procesi qëndron misioni pragmatist për ndërlidhje në rajon dhe me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, jam shumë i inkurajuar nga rikonfirmimi se ky proces nuk është një zëvendësues i proceseve tona integruese. Unë pres që Presidenca Bullgare të përforcojë institucionalisht këtë kusht, që është kyç për të transformuar vendet tona në demokraci liberale dhe funksionale. 

Po kështu, Shqipëria ka ndjekur një politikë të jashtme shumë konstruktive dhe paqësore në rajon si në platformat e dyanshme, ashtu edhe shumëpalëshe. Ne nuk e kemi luksin të zgjedhim fqinjët tanë, por ne kemi përgjegjësinë të sigurojmë një fqinjësi të qëndrueshme dhe të sigurtë për interesat kombëtarë. Dëshiroj t’i shikoj marrëdhëniet tona me Serbinë, si dhe me të gjithë vendet e tjera të rajonit, të zhvillohen më tej për të gjitha çështjet e interesit reciprok. Do të doja të shikoja më tepër angazhim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura në frymën e besimit dhe bashkëpunimit reciprok.

– Zoti President, Ju sapo jeni kthyer nga një vizitë në Kroaci, vizita Juaj e parë jashtë për vitin 2018. Përse u zgjodh Kroacia dhe cili ishte qëllimi i vizitës?

– Do të dëshiroja të falënderoja Presidenten Kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviç për mikëpritjen dhe shkëmbimin e hapur dhe të sinqertë të pikëpamjeve që patëm gjatë këtij takimi të rëndësishëm dhe të suksesshëm. Ekzistojnë lidhje të forta historike dhe miqësore midis dy vendeve dhe popujve tanë dhe një nivel i lartë i marrëdhënieve të dyanshme. Ne së bashku jemi vende anëtare të NATO-s dhe diskutimet tona janë shumë të rëndësishme mbi çështje dypalëshe, si dhe në nivelin e partneritetit strategjik. Ne, gjithashtu, jemi vende fqinje dhe shumë të preokupuara për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës Juglindore, zhvillimet e fundit në vendet e rajonit tonë dhe të ardhmen e tij në Bashkimin Evropian. Si Presidentë të Kroacisë dhe Shqipërisë, ne ramë dakord dhe theksuam se bashkëpunimi i fortë dhe i dobishëm midis vendeve të rajonit tonë është faktor kyç, tepër i rëndësishëm dhe vendimtar për të përballuar sfidat në nivel ekonomik, global dhe sigurisë, si dhe ato të së ardhmes së përbashkët.

Unë jam mirënjohës për mbështetjen e Presidentes Grabar-Kitaroviç për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me Bashkimin Evropian këtë vit dhe angazhimin e saj të qartë për ndihmën kroate ndaj Shqipërisë me know-how dhe ekspertë në kuadër të procesit të integrimit në këtë strukturë evropiane. Unë do ta mirëpres Presidenten Kolinda Grabar-Kitaroviç në një vizitë shtetërore këtë vit për të vazhduar diskutimin dhe përmirësuar marrëdhëniet tona të forta dhe të shkëlqyera shqiptaro-kroate.

– Zoti President, cili është mesazhi Juaj për popullin shqiptar, klasën e tij politike dhe diasporën për vitin 2018? 

– Viti 2018 është një vit përkujtimor i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Kështu që u bëj thirrje të gjithëve t’u përmbahen tipareve tona më të mira dhe identitetit kombëtar dhe t’i ngrenë më lart ato me punë të mira për ta bërë Shqipërinë një vend të dashur dhe të shpresës për rininë e sotme dhe brezat e ardhshëm.

Uroj që viti 2018 të jetë më i mirë dhe më i begatë për të gjithë, duke shpresuar të përmbushim ambiciet tona afatgjata të përmirësojmë kredencialet tona demokratike dhe të hedhim një hap cilësor përpara drejt anëtarësimit në BE.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook