Ballina Aktualitet Prokurorja e Përgjithshme vizitë te Krimet e Rënda: Duhet të rrisim nivelin...

Prokurorja e Përgjithshme vizitë te Krimet e Rënda: Duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë

Prokurorja e Përgjithshme Arta Marku ishte e pranishme ditën e sotme në takimin e zhvilluar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.

Marku gjatë fjalimit të saj dha disa udhëzime në lidhje me pavarësinë e prokurorëve duke bërë thirrje të mos kalohet në anarki.

“Për vetë specifikën e veprave penale që janë objekt i ndjekjes penale nga Prokuroria për Krime të Rënda, ku shpesh ndërthuren organizatat apo grupet kriminale transnacionalë, kërkohen energji të reja për të ngritur më shumë nivelin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit të punës me agjencitë e zbatimit të ligjit brenda vendit dhe veçanërisht me partnerët ndërkombëtarë”, shprehet Marku.

“Prokuroria e Përgjithshme nxit dhe mbështet përshpejtimin e hetimeve të të gjitha çështjeve nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Kjo, pa e cenuar aspak cilësinë e hetimeve, por për shkak të ndjeshmërisë së lartë publike që kanë çështjet që hetohen prej jush. Prandaj, kërkohet kjo shpejtësi në plotësimin dhe standardizimin e protokolleve hetimorë. Pavarësia e prokurorëve mbetet e pacenuar, si një e drejtë e njohur nga Kushtetuta dhe Kodi i Procedurës Penale. Por, kjo nuk do të thotë që të kalohet në anarki, përveçse kërkohet vëmendje dhe përkushtim maksimal në ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjykatë si dhe zbatimin rigoroz të rregullave procedurialë dhe rregullave të parashikuar në ligjin për organizimin e prokurorisë”, shtoi ajo.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook