Ballina Aktualitet Protesta para ambasadës greke/ Idrizi: Kemi një kryeministër të rrjedhur, por jo…

Protesta para ambasadës greke/ Idrizi: Kemi një kryeministër të rrjedhur, por jo…

Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ka mbajtur një fjalim gjatë protestës së sotme para ambasadës greke në Tiranë.

Idrizi tha se kemi një Kryeministër të rrjedhur, por jo për qëndrimet irredentiste

“Ne kërkojmë atdheun dhe atdheu jonë është Çamëria, arvanitasit të shpallen minoritet shqiptar në Greqi”, theksoi ndër të tjera Idrizi.

“Nuk na zhdukën dot për 105 vjet, shqipëria është gjallë ne jemi në këmbë.

Nuk mund të falim pa na kërkuar ndjesë.

I kujtojmë Ramës dhe Bushatit, por edhe Bashës se  ushtarët grekë erdhën si pushtues në Shqipëri.

“Mirë qeveria apo presidenti grek flasin dhe mbrojnë ndërtimin e varrezave për ushtarët grekë që erdhën si pushtues në Shqipëri, që edhe kur Italia fashiste sulmoi Greqinë nuk largoheshin nga territori shqiptar se donin të merrnin Vorio Epirin, po qeveria shqiptare pse nuk flet për mijëra shqiptarë që u vranë dhe u masakruan në Çamëri? Pse nuk kërkohet një memorial apo përkujtimore për ato?

Gjysma e Shqipërisë politike është jashtë, pse e them këtë? Sepse bëhet një ligj për minoritetet dhe na dalin 9 minoritete. Mirë po i japim eshtrat e fëmijëve dhe pleqve për të mbushur varrezat greke, por s’mund ti japim borxh ca shqiptarë për të krijuar minoritetet.

Çamëria është një emër i gdhendur që kur është krijuar njerëzimi.

Sot po i drejtohem Presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, që se kam dëgjuar të flasë deri më tani për Çamërinë, që e keni për detyrë ti jepni dinjitet shqiptarëve.

Marrëveshja për ujrat është kërkesë e Greqisë dhe para se të zgjidhim kufirin detar, ne duhet të zgjidhim kufirin tokësor me Greqinë, e cila mban në këmbë ende ligjin e luftës.

Kërkesa jonë është që ne duam të kthehemi në vatrat tona”, tha Idrizi.

Ndërsa ish-deputeti i PDIU, Tahir Muhedini, i cili e quajti ‘plak të rrjedhur’ Presidentin grek, referuar presionit se fjala ‘Çamëri’ duhet të fshihet nga librat, duke thënë se kjo fjalë nuk mund të shuhet.

“Deklaratat e Presidentit grek janë të një të moshuari të rrjedhur. Fjala ‘Çamëri’ nuk mund të shuhet nga historia. Politika shqiptare dhe qeveria janë servilë, shohin vetëm interesat e tyre. Varreza në Çamëri për mijëra çamë të vrarë në gjenocid. Varreza imagjinare për grekët në Shqipëri. Negociatat enigmatike e të mbyllura, ne nuk kemi Ministri të Jashtme”, tha ish-deputeti Muhedini.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook