Ballina Aktualitet Protestuan para Ministrisë së Brendshme duke kërkuar largimin e Xhafajt, policia procedon...

Protestuan para Ministrisë së Brendshme duke kërkuar largimin e Xhafajt, policia procedon penalisht të rinjtë e FRPD e LRI

Pas protestës së bërë ditën e djeshme para Ministrisë së Brendshme ku kërkonin largimin largimin e ministrit Fatmir Xhafaj, ditën e sotme policia e Tiranës ka kallëzuar në Prokurori të rinjtë e FRPD e LRI.

Mes personave të proceduar janë dhe kryetari i FRPD, Belind Këlliçi dhe aktivisti Aulon Kalaja.

“Më datë 29.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasit B.K., 31 vjeç, A.K. 29 vjeç, G.Gj. 30 vjeç, H.V. 27 vjeç, G.T. 42 vjeç, S.B. 22 vjeç, M.U. 31 vjeç, F.H. 48 vjeç dhe K.Gj. 48 vjeç (banues të gjithë në Tiranë) bazuar në nenin 262/1 të Kodit Penal”.

Neni 262 i kodit penal thotë se organizimi i grumbullimeve dhe i manifestimeve të personave në sheshe dhe vende të kalimit publik, pa marrë më parë lejen nga organi kompetent sipas dispozitave të veçanta apo kur nga organizatorët shkelen kushtet e parashtruara në kërkesën për dhënie të lejes, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Pjesëmarrja në një grumbullim apo manifestim të paligjshëm edhe pas paralajmërimit të bërë për shpërndarje, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre muaj.

Të rinjtë çuan një gomone dje para Ministrisë së Brendshme si dhe disa pako të zeza për të simbolizuar protestën e tyre kundër lidhjeve të pushtetit me krimin dhe trafikun. Ata kërkuan dorëheqjen e Xhafajt, ndërsa hodhën vezë dhe peshq në drejtim të institucionit.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook