Ballina Aktualitet Qeveria “harron” superstradën e re Tiranë-Durrës, arnon ekzistuesen pas vendosjes së pishave

Qeveria “harron” superstradën e re Tiranë-Durrës, arnon ekzistuesen pas vendosjes së pishave

Qeveria ka filluar të hedhë arnat e radhës në superstradën Tiranë-Durrës, në pjesën nga Durrësi në Vorë.

Kjo vjen në të njëjtën kohë kur ka nisur edhe vendosja e pishave të buta përgjatë segmentit nga Kashari në hyrje të Tiranës dhe ky “look” i ri meriton një rrugë tjetër por ama jo një rrugë të re. Punimet sipërfaqësore nuk zgjidhin problematikën reale të kësaj superstrade që qëndron prej vitesh në hartën e njollave të zeza me një numër të konsiderueshëm aksidentesh. Për të kuptuar sesa e rrezikshme është bërë kjo rrugë nuk ka rëndësi nëse ke udhëtuar shpesh apo rrallë. Madje është më mirë nëse ke udhëtuar shpesh, sepse mund të kesh memorizuar gropat e pafundme të saj, që kthehen në burim të mirëfilltë aksidenti.

Në disa pjesë të segmentit vetëm 35 kilometra të gjatë, shtesa e sipërme është tërësisht e dëmtuar për metra e metra të tëra ndërkohë që sapo nis hyrjen në të ashtuquajturën autostradë ka një tabelë që të tregon se mund të ecësh me 90 kilometra në orë. Kjo mund të jetë normale deri në momentin që kalon Vorën kur shkon drejt Durrësit dhe pas saj duhet të lutesh që në pjesët e dëmtuara të kesh fatin e mirë, të jeni sa më pak automjete, që rreshtohen të gjitha në korsinë e shpejtësisë.

Për autostradën Tiranë-Durrës prej vitesh flitet për një zgjerim të saj por duket se kjo do të vonojë ose nuk do të zbatohet për aq kohë sa qeveria ka vendosur që arnat e vjetra t’i zëvendësojë me të reja. Kjo ndodh në rrugën ku çdo ditë kalojnë të paktën 45 mijë mjete në të dyja anët e saj dhe ku një pjesë e konsiderueshme, rreth 3 mijë, janë mjete të tonazhit të lartë. Ky volum trafiku bën sens për aq kohë sa Tiranë-Durrës është arteria kryesore që lidh dy nga qytetet më të rëndësishme në vend ku është përqendruar aktiviteti ekonomik por edhe ku është dalja më e afërt në det me portin më të madh në vend Portin e Durrësit.
Në vitin 2015 qeveria do të pranonte se ka nevojë emergjente për ndërhyrje por entuziazmi do të shuhej rrugës dhe tashmë kemi vetëm plan që fle në sirtare zyrash.
“Në vitin 2008 nga ana e ARRSH-se është përgatitur studimi dhe projektimi i përmirësimit të shtresave rrugore pikërisht duke pasur parasysh dëmtimet e konsiderueshme të shfaqura në këtë segment, por ky projekt nuk u vu në zbatim sipas rekomandime te tij. Në vitin 2009 është bërë një ndërhyrje riveshese vetëm në shtresat e sipërme asfaltike, e konceptuar kjo vetëm si ndërhyrje e përkohshme, apo mirëmbajtjeje, ku pas një farë kohe u shfaqën përsëri dëmtime gjate gjithë segmenteve me problematike. Me pas janë bërë përsëri ndërhyrje të pjesshme në zonat e dëmtuara, por tashme rezulton e domosdoshme dhe emergjente studimi dhe projektimi për përmirësimin edhe te shtresave te tjera rrugore të aksit ekzistues. Natyrisht kjo e koordinuar në këtë rast me zgjerimin e superstradës” thuhet në draftin e hartuar nga Spea Engenieering.

LEXO EDHE:  Deputetja zbulon prapaskenat, ja si po abuzon kryeministri me të sëmurët me kancer

E ndërsa planet tani janë të përqendruara në fronte të reja pune në kuadër të projektit 1 miliardë euro, ata që udhëtojnë nga Tirana në Durrës apo anasjelltas mund të kënaqen me kaq, sepse mund të kishin një rrugë edhe pa arna edhe pa pisha të buta./monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook