Ballina Aktualitet Qeveria shtyn afatin për tapitë, pronat me ligjin 7501 kanë afat deri...

Qeveria shtyn afatin për tapitë, pronat me ligjin 7501 kanë afat deri në korrik

Qeveria ka vendosur afatin e fundit për pajisjen me tapi të fermerëve që kanë në përdorim toka bujqësore të ndara me ligjin 7501.

Ministri i Bujqësisë Niko Peleshi u ka bërë të qartë familjeve që nuk janë pajisur ende me certifikatën e pronësisë ta marrin seriozisht këtë proces për ta përmbyllur brenda afateve.

Projektligji “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, ka marrë aprovimin e Këshillit të Ministrave.

“Afati i plotësimit të AMTP-ve përfundon në datën 31 korrik 2018”, thuhet në nenin 1 të draftit, për të cilën është propozuar që të kalojë për shqyrtim dhe miratim me procedurë të përshpejtuar. Nisma ligjore vjen në një kohë kur procesi ka mbërritur në një pikë kritike.

APLIKIMET

Veç atyre që nuk janë të pajisur me Aktin e Pronësisë, në skemë janë edhe ata të cilët, pavarësisht se janë të pajisur me këtë dokument, nuk e kanë bërë ende regjistrimin e pronës në Hipotekë. Në të dyja rastet, qytetari duhet të paraqitet pranë bashkisë.

Sa i takon dokumentacionit që duhet të dorëzohet, përveç kërkesës për pajisjen me aktin e përdorimit nga komisionet e ndarjes së tokës (për ata që ende nuk e kanë), kërkohet edhe planvendosja e secilës ngastër që kanë në përdorim, certifikatë familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e bashkisë, ku të pasqyrohet numri i anëtarëve të familjes përfituese, në favor të së cilës do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, si edhe dokumentacionin që vërteton se janë përfitues, si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave.

LEXO EDHE:  Korrupsioni me pronat në Ishëm dhe Gjiri i Lalzit/ Policia: Ja kush janë zyrtarët e korruptuar

REGJISTRIMI NË HIPOTEKË

Vetëm 60 ditë do t’i duhen një fermeri të presë për t’u pajisur me tapinë e tokës që ka në përdorim. Shkurtimi i afateve do të shoqërohet edhe me thjeshtim të procedurave të aplikimit për marrjen e certifikatës së pronësisë. Vlen të thuhet se procesi nuk do të ketë kosto për fermerët. E vetmja faturë që do të rëndojë mbi ta do të jetë ajo që vilet nga Hipoteka gjatë regjistrimit të pronës.

Me ndarjen e re administrative, bashkitë ngarkohen me detyrën për të lëshuar aktin e marrjes së tokës në përdorim dhe më pas dërgimin e të gjithë dokumentacionit pranë Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku edhe ndodhet pasuria. Kur certifikata e pronësisë është gati, njësia administrative njofton fermerin që duhet të paraqitet pranë ZVRPP për ta tërhequr atë.

Ministri i Bujqësisë ka sqaruar më herët praktikën e re që do të ndiqet, e cila, sipas tij, do të mbulohet nga agjencia e re që do të krijohet. “Do të krijojmë Agjencinë e Titujve të Pronësisë, e cila nuk do të presë më fermerin që të paraqitet për të regjistruar Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP-së), por do të jetë agjencia që do të bëjë një regjistrim të përgjithshëm të titujve përmes një praktike të re pune, duke qenë se të gjitha institucionet që kanë pasur në ngarkim çështje të pronësisë do të jenë nën një çati”.

DOKUMENTET QË DUHET TË DORËZOHEN

  • Kërkesën për pajisjen me AMTP për tokën që e kanë marrë në përdorim nga komisionet e ndarjes së tokës;
  • Planvendosjen e secilës ngastër që kanë në përdorim, të përgatitur nga një subjekt i licencuar, sipas kërkesave të sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, ku të pasqyrohen sipërfaqja, kufijtë e saj dhe kufitarët;
  • Certifikatën familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e bashkisë, ku të pasqyrohet numri i anëtarëve të familjes përfituese ose individi, në favor të të cilit do të lëshohet akti i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1 gusht 1991, me ndryshimet deri më 1 tetor 1992 (për ish-NB), të cilët nuk kanë ndryshuar vendbanimin e tyre që prej kësaj date;
  • Dokumentacionin që vërteton se janë përfitues, si rezultat i lëvizjes nga qendrat e tyre të banimit, me vendime të veçanta të Këshillit të Ministrave;
  • Aktin e marrjes së tokës bujqësore në përdorim, nëse e disponojnë (për ish-Ndërmarrjet Bujqësore).
LEXO EDHE:  Nga Hawaii në Kinë, shikoni si po i kalon pushimet vajza e Niko Peleshit

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook