Ballina Aktualitet Shqipëria, vendi me oraret më të gjata të punës në Europë !

Shqipëria, vendi me oraret më të gjata të punës në Europë !

Gati 70% e meshkujve dhe 61% e femrave shqiptare punojnë më shumë se 40 orë në javë. Shikoni se sa e ulët është kjo përqindje për europianët dhe sa pak produktivë janë shqiptarët.

Një punonjës shqiptar me pagë punoi mesatarisht në javë 42.9 orë, në vitin 2016 (sipas INSTAT), gati 7 orë në javë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian, që llogaritet në 36.1 orë, sipas statistikave zyrtare të BE-së.

Të dhënat e fundit të INSTAT treguan se në vitin 2016 punonjësit shqiptarë kanë zgjatur kohën që rrinë në punë (nga 42.4 ora në 42.9 orë), ndërsa ata europianë kanë pasur sjellje të kundërt. Sipas të dhënave të Komisionit Europian, mesatarja e Bashkimit Europian tregon se orët e punës mesatare në javë janë ulur nga 38.6 orë në 2005 në 37.6 orë në 2010 dhe 36.1 orë në vitin 2015. Për vendet e BE-së, kjo tendencë shpjegohet kryesisht me faktin që më shumë punonjës po punojnë me kohë të pjesshme dhe më pak po punojnë me orë të zgjatura (48 orë në javë ose më shumë), një tendencë që është e njëjtë si për meshkujt dhe për femrat.

Në Shqipëri është shumë më e lartë dhe përqindja e punonjësve që punojnë më shumë se 40 orë pune, që teorikisht është dhe kohëzgjatja mesatare e parashikuar në Kodin e Punës. Sipas raportit të fundit të INSTAT, 47.8% e punonjësve punojnë nga 40-48 orë dhe 17.9% e kanë ditën e punës më të gjatë se 49 orë. Pra në total, gati 66% e punonjësve punojnë më shumë se 40 orë në javë (nga 63.5% në vitin e mëparshëm, pra me rritje gati 3 orë). Për meshkujt, kjo përqindje është 69.4% dhe për femrat 60.8%. Për mesataren e Bashkimit Europian, kjo përqindje është shumë më e ulët. Të dhënat e Komisionit Europian tregojnë se përqindja e meshkujve europianë, që punojnë më shumë se 40 orë është 31% dhe ajo e femrave shumë më e ulët, vetëm 15%.

LEXO EDHE:  Pas "furtunës" në Burgje, Rama ka një ftesë për të gjithë shqiptarët. Ja për çfarë bëhet fjalë

Në vendet e Bashkimit Europian, rënia në orët javore të punës është përjetuar nga të gjitha grupet sipas moshës, statusit të punësimit dhe kontratë, me përjashtim të të vetëpunësuarve me të punësuar dhe të punësuar me kohë të pjesshme, që mesatarisht punojnë më gjatë. Punonjësit e vetëpunësuar, pa vartës, gjithsesi, raportojnë rënien më të madhe të orëve javore të punës (7 orë më pak në javë mesatarisht sesa në 2005). Në Europë, shteti që ka orët më të gjata të punës është Turqia, me gati 50 orë në javë për meshkujt. Edhe vendet e Ballkanit nuk mbeten pas. Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia dhe Shqipëria raportojnë të gjithë më shumë se 40 orë pune në javë.  Por këto janë dhe shtetet me produktivitetin më të ulët, pasi vijojnë të kenë të ardhura shumë poshtë mesatares së Bashkimit Europian. P.sh., Bosnja, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria renditen të fundit në Europë për sa u përket të ardhurave mesatare për frymë. Prodhimi i Brendshëm për Frymë i Shqipërisë është sa 30% e mesatares së BE-së, e parafundit në Europë, pas Bosnjës.