Ballina Aktualitet Skandali i falsifikimit të dokumentave, pezullohen punimet në Unazën e Re

Skandali i falsifikimit të dokumentave, pezullohen punimet në Unazën e Re

Një prej firmave që ka fituar tenderin për ndërtimin e Unazës së Re ka pezulluar punimet pasi u zbulua skandali i falsifikimit të dokumentave.

Në rast se autoritetet amerikane do të konfirmojnë zyrtarisht pretendimet për falsifikime dokumentacioni nga kjo kompani, në zbatim të përcaktimeve ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të zgjidhë kontratën në mënyrë të njëanshme, e do të ndjekë procedurat e tjera të përcaktuara në ligj.

Në rast të zgjidhjes së kontratës, ARRSH-ja do të rifillojë menjëherë procedurat e prokurimit për këtë lot, për të mundësuar përfundimin në kohë të këtij projekti të rëndësishëm për kryeqytetin. Një hetim ka nisur ndërkohë nga Prokuroria e Tiranës.

Njoftimi i Autoriteti Rrugor Shqiptar:
Autoriteti Rrugor Shqiptar u vu në dijeni të materialit për njërin prej 3 lotëve të projektit të Unazës së Madhe të Tiranës, segmenti Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja.

Në kuadër të transparencës ndaj opinionit publik, Autoriteti Rrugor Shqiptar sqaron:

Procedura e prokurimit është zhvilluar në përputhje me ligjin Nr.9643, datë 20.11.2006 “Për Prokurimin Publik”, i ndryshuar, VKM-së Nr.914, datë 29.12.2014 “Për miratimin e rregullave të Prokurimit Publik” e ndryshuar. Kjo procedurë bazuar në detyrimet ligjore të mësipërme, është procedurë e hapur, e zhvilluar në mënyrë elektronike përmes Agjencisë së Prokurimeve Publike.

Autoriteti Kontraktor ka nënshkruar kontratën me bashkimin e përkohshëm të operatorëve ekonomik “Biba X shpk” dhe “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pasi ka konstatuar që dokumentet janë në përputhje me kriteret e dhëna në dokumentet e tenderit. Operatori ekonomik “DH Albania shpk- degë e shoqërisë së huaj”, pjesë e këtij bashkimi, ka paraqitur dokumentacionin të përkthyer dhe të noterizuar në gjuhën shqipe, ku kompania mëmë “Dunwell Haberman” rezulton e regjistruar dhe ushtron aktivitetin në një prej shteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konkretisht në shtetin Delaware.

LEXO EDHE:  "Unaza e Re"/ Degradon situata, banorët u vënë zjarrin kazanëve dhe marshojnë drejt ish-sheshit Shqiponja

Në përmbushje të kritereve të dhëna në dokumentet e tenderit ka bërë regjistrimin në Qendrën Kombëtare të Bizneseve dhe njësimin e liçencës duke respektuar Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.42 datë 16.01.2008, “Për miratimin e rregullores për kriteret dhe procedurat e dhënies së licencave profesionale të zbatimit, klasifikimit dhe disiplinimit të subjekteve juridike që ushtrojnë veprimtari ndërtimi”. Njësimi i saj ka konkluduar me një nivel maksimal të licensimit, bazuar në veprimtarinë ekonomike të saj në vendin e origjinës, duke mbajtur kategoritë maksimale (kategoria G).

Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura e cila do mund të çonte në një procedurë verifikimi paraprak.

Kontrata e nënshkruar me këtë bashkim operatorësh në fjalë për këtë lot të Unazës nuk ka prodhuar asnjë efekt financiar për Buxhetin e Shtetit.