Ballina Aktualitet STRATEGJIA/ Si po mundohet qeveria të “joshë” investitorët me zero taksa

STRATEGJIA/ Si po mundohet qeveria të “joshë” investitorët me zero taksa

Ka një seri zhvillimesh që duket se kanë vënë qeverinë “me shpatulla” për muri, duke kërkuar me çdo mjet të tërheqë vëmendjen e investitorëve të huaj.

Kjo sigurisht ka të bëjë me hendekun e pritshëm në Investimet e Huaja Direkte që do të krijohet nga përfundimi i gazsjellësit TAP dhe hidrocentrali i Devollit por jo vetëm.

Në vitin 2015 ligji “Për investimet strategjike” synonte pikërisht tërheqjen e investitorëve potencialë por nga ajo kohë, e deri më sot, investitorët strategjikë, duket se nuk e kanë pasur Shqipërinë në krye të listës së tyre. Kjo pasi asnjë kompani e madhe nuk ka investuar në ndonjë prej gjashtë sektorëve të lakuar si strategjikë.

Faza e dytë e “joshjes” për investitorët erdhi me paketën fiskale 2018 e cila ju dedikua gjerësisht turizmit dhe prodhimit apo zhvillimit të softwear. Edhe në këtë rast, si për ironi, në kulmin e diskutimit të një pakete që u ofronte investitorëve në hotele me 4 dhe 5 yje një parajsë pa taksa, erdhi edhe lajmi i largimit të “Sheraton” pjesë e grupit Marriott dhe një prej markave më të njohura në menaxhim hotelerie.

Sot qeveria ka bërë bashkë statusin strategjik dhe atë special duke tentuar të sjellë në Shqipëri investitorë ndërkombëtarë. Por çfarë ofrohet në fakt me këtë gërshetim “statusesh” për investitorët potencialë në turizëm.

Së pari marrja e tokës shtetërore me 1 euro për 99 vjet. Kur toka nuk është shtetërore por private shteti ndërhyn për ta “shpronësuar” atë përmes ligjit të investimit me interes publik duke i hapur rrugë investitorit ndërkohë që përballja ligjore me pronarët bëhet nga qeveria.

Së dyti ofrohet lehtësim i procedurave çka do të thotë se institucionet e përfshira në zinxhir e shohin me prioritet plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. Së treti ofrohet aplikimi shkallës së reduktuar të TVSH-së, përkatësisht në 6%, për furnizimin e shërbimeve të ofruara brenda strukturave akomoduese, hotel me 5 yje, status special.

LEXO EDHE:  DURRËS/ Vendimi për "Velierën", jep dorëheqjen prokurorja bashkë me 3 ekspertë

Po kështu kemi zerimin e taksës së infrastrukturës, zerimin e taksës së pronës zerimin e taksës së fitimit për 10 vjetët e parë fiskalë të të gjitha strukturave akomoduese, hoteleve me 4 apo 5 yje status special. Statusi special mund të merret vetëm nëse investimi në hotelet me 4 yje është 8 milionë euro kurse për ata me 5 yje mbi 15 milionë euro. Tek lehtësitë që vijnë me statusin strategjik qeveria gjithashtu detyrohet t’i garantojë investitorit mbështetje për infrastrukturën rrugore, energjinë, ujërat e zeza dhe ujërat e pastra deri në kufijtë e investimit.

Por edhe statusi “strategjik” ndahet në dy kategori e cila lidhet edhe në këtë rast me vlerën e investimit. Sipas ligjit të investimeve strategjike, “për sektorin turizëm (struktura turistike) kur investimi është i barabartë ose më i madh se 5 pesë milionë euro, dhe që krijon, minimalisht, 80 vende të reja pune, investitorët/projektet përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar. Kur investimi është barabartë ose më i madh se 50 milionë euro, investitorët përfitojnë statusin “Investim/investitor strategjik, procedurë e veçantë”.

Kur qeveria bëri lehtësimet për hotelet me 4 dhe 5 yje theksi u vu tek tërheqja e markave ndërkombëtare por deri më tani e vetmja markë e lakuar është Hilton në Tiranë, një investim që ka nisur para se të ofrohej politika zero taksa./Monitor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook




;