Ballina Aktualitet Toma: Biznesi i vështirë i farmacisë, 8 problemet e mëdha të tregut

Toma: Biznesi i vështirë i farmacisë, 8 problemet e mëdha të tregut

Presidentja e Urdhrit të Farmacistit, Diana Toma, thotë se, tregu i farmaceutikës në zinxhirin a pakicës po vuan nga mbingopja në qytetet e mëdha, teksa politikat e rimbursimit shpesh krijojnë humbje të mëdha që i mbartin bizneset.

Rreziqet po shtohen nga shtrirja e depove dhe importuesve në shitjen me pakicë, e cila më parë ka qenë e ndaluar me ligj. Ndërsa profesionalizmi nuk është i përfshirë në marzhin e fitimit.

Zonja Toma, si i vlerësoni zhvillimet në tregun e farmaceutikës dhe normat e fitimit?

Është një treg totalisht i rregulluar dhe formalizuar. Që nga importi deri te pacienti, produktet farmaceutike shoqërohen me dokumentacionin dhe me miratimet përkatëse të Tatimeve. Gjithçka jepet me kupon tatimor dhe çdo lëvizje transparente.

Mirëpo fitimet po ulen. Marzhet e fitimit janë të përcaktuara nga shteti dhe, nga ana tjetër, farmacia funksionon mbi konceptin e tregut të lirë. Për rrjedhojë, normat e fitimit nuk janë ato që duhet të jenë. Në fakt na mungon një studim i thellë për zhvillimet në tregun e pakicës për të gjetur se si janë normat e fitimit dhe cilat janë shpenzimet që duhet të ketë një farmaci.

Si funksionon zinxhiri i tregut?

Sigurisht që më të fuqishëm janë importuesit. Pasi importi kryhet nga 10 subjekte, të cilat shesin në 1500 farmaci në të gjithë vendin. Më duhet të them se hallka e fundit e zinxhirit vuan nga mbingopja, sidomos në Tiranë.

Normat e fitimit përcaktohen me VKM dhe ndër vite ka pasur ndryshim të normave. Më parë marzhet ishin fikse, por tani janë variabël. Tani që janë variabël, pjesa profesionale ka shumë rëndësi. Në Shqipëri pjesa profesionale nuk futet në marzh. Sa më e lartë të jetë vlera e barit, aq më i ulët është marzhi i fitimit, por nga ana tjetër, përkushtimi profesional në shitjen e një medikamenti të shtrenjtë është më i madh se sa në shitjen, bie fjala, të një paracetamoli.

LEXO EDHE:  Vdekja e Florencit në Francë, shpërthen gazetari i njohur: Atdheu e tradhtoi si të gjallë, ashtu dhe të vdekur

Ndaj qeveria shqiptare, duhet të marrë në konsideratë edhe anën profesionale kur të përcaktojë marzhin.
Vendet e tjera e kanë ndryshe. Gjermania p.sh., e ka të përfshirë vlerësimin profesional në marzh. Por fillimisht duhet studim për normat e fitimit dhe më pas të përcaktohet marzhi për vlerësimin profesional. Politikat për farmaceutikën nuk duhet të cenojnë profesionistët, përkundrazi duhet t’i mbështesin ato. Ndihemi të pavlerësuar dhe pamotivuar, duhet të vrasësh mendjen për të mbijetuar dhe jo për të qenë profesionist.

Si ndikojnë politikat shtetërore të rimbursimit në treg?

Ne nuk jemi pjesë e grupit të punës për përcaktimin e listës së rimbursimit. Kishte barna që u hoqën dhe që jepeshin vetëm me rimbursim. Këto barna dëmtuan farmacitë që kanë investuar për blerjen e tyre. Kishte barna që te lista e parë ishin me 10 lekë dhe tek e dyta, 7 lekë. Në politikat e reja të rimbursimeve, qeveria nuk i merr përsipër këto humbje që vijnë nga diferenca në çmimet e rimbursimit. Kjo diferencë, veç të tjerash, na bënte evazorë në Tatime, pasi kishin deklaruar 10 lekë në blerje dhe 7 në shitje.

Farmacia është biznes i ndjeshëm. Kur ndryshon lista prishet marrëdhënia njerëzore me pacientët. Së pari, farmacia krijon marrëdhënie humane, së dyti profesionale dhe pastaj fitimi. Ka pasur raste që vetëm për një tabletë të një bari që i ndryshoi çmimi në rimbursim, humbja ka qenë rreth 100 mijë lekë të reja vetëm për një farmaci. Për të disatin vit radhazi, farmacitë po paguajnë nga xhepi i tyre diferencat e çmimeve të rimbursimit.

Vitet e fundit ka një rritje të dukshme të importit të medikamenteve. A është ky një lajm i mirë për farmacitë?

LEXO EDHE:  Tregu i telefonisë celulare nuk gjen prehje

Importet në rritje të medikamenteve nuk janë shqetësuese. Ilaçet mbrojnë shëndetin. Por dua të them se jetëgjatësia rrit konsumin, rritja e sëmundjeve kronike gjithashtu dhe rritja e sëmundshmërisë në përgjithësi. Dështim do të konsideroja rritjen e konsumit të medikamenteve, për shkak të ndryshimit të listës dhe sidomos keqpërdorimi i recetave për ilaçe që nuk bëjnë.
Institucionet duhet të jenë më të hapura për bashkëpunim me profesionistët dhe me ata që përfaqësojnë profesionin.

Zonja Toma, a mund të na rendisni disa nga problematikat me të cilat po përballen bizneset e farmaceutikës?

Së pari, numri i madh i farmacive është problem dhe kjo në shumë raste bën që farmacistët t’i shohin pacientët si mjet fitimi.
Së dyti, numri i lartë i farmacistëve që dalin nga universitetet.
Së treti, përfshirja brenda pronësisë në tregun e farmaceutikës të elementit jo farmaceutik.
Së katërti, komercializimi i recetave ka ulur marzhin e fitimit.
Së pesti, nuk ka rregullore për shërbimin e tregut e farmaceutik.
Së gjashti, ka vakume ligjore, si në ligjin e shërbimit farmaceutik ose ligje të tjera që shtrijnë efektin në farmaceutikë.
Së shtati, farmacistët kanë probleme me përfaqësim, nuk përfaqësohemi.
Së teti, shtrirja e importuesve të mëdhenj edhe në tregun e pakicës, po krijon monopole vertikale dhe kjo minon konkurrencën e drejtë në treg.

Ekzistenca e rrjeteve farmaceutike është problematikë. Ky është një ngërç i ligjit që nuk përcakton numrin dhe krijon probleme. Më parë shtirjen vertikale e ndalonte ligji, tani jo më. Para pak vitesh Maqedonia hoqi kriteret e tregut, për shkak të kaosit që krijoi, sot janë kthyer serish te farmacisti dhe te numri i subjekteve.

Si po ndikojnë në shëndetin e popullatës të gjithë këto zhvillime në treg?

LEXO EDHE:  Bie nga lartësia punonjësi i pularisë në Durrës, përfundon në spital me fraktura

Personalisht po vë re rritje të shtresave vulnerabël të shoqërisë. Kjo shtresë ka barrë më të lartë të sëmundjeve, por nga ana tjetër nuk ka fuqi blerëse. Me rrotacionin politik ka edhe një rrotacion në biznesin e farmaceutikës. Për shembull, para disa vitesh, cepurinat i kishim gjermane dhe franceze, ndërsa sot, turke. Importet janë zhvendosur nga vendet e zhvilluara në vendet në zhvillim. Ky nuk është një hap para./Monitor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook