Ballina Aktualitet Tregu i dobët i reklamave fut median në krizë: Televizionet pa fitime,...

Tregu i dobët i reklamave fut median në krizë: Televizionet pa fitime, “online” mund print-in

Për herë të parë, reklamat në median online i kanë kaluar ato në shtypin e shkruar, duke shënuar një pikë kthese në historinë e mediave shqiptare.

Televizionet po konkurrojnë gjithnjë e më fort mes tyre për të ndarë tortën e reklamave që po zvogëlohet gradualisht. Klan mbetet i vetmi televizion fitimprurës në vend, ndërsa të tjerët vetëm sa arrijnë të mbulojnë shpenzimet. Telekomunikacionet ulin ndjeshëm buxhetet e reklamave.

Vetëm 350 persona kishin akses në internet në Shqipëri në vitin 1995, sipas të dhënave të Bankës Botërore. I ulët mbeti përdorimi i internetit deri në vitin 2006, ku gradualisht kishte arritur në gati 10% të popullsisë. Më pas filloi rritja e shpejtë, për të arritur në vitin 2016, ku 66% e popullsisë, apo gati dy milionë persona kanë akses në rrjet.

Përgjatë 5 viteve të fundit, interneti dhe teknologjia e ndryshuan me shpejtësi mënyrën si shqiptarët komunikojnë, informohen, argëtohen dhe shpenzojnë kohën e lirë. YouTube, kanalet dixhitale, Netflix kanë ngushtuar hapësirën, që dikur ishte e dedikuar vetëm për televizorin. Smartphone është bërë shoqëruesi i gjithsecilit dhe mjeti i parë i informimit, jo vetëm për të rinjtë, por edhe për moshën e mesme tashmë.

Në linjë me këto zhvillime, bizneset, po gjejnë forma më eficiente dhe më direkte për të arritur te klienti. Nga ana e tyre, mediat duhet të ecin me hapa të shpejtë për t’ju përshtatur kësaj tendence e për të mos mbetur prapa: televizionet me programe më të shumta dhe më argëtuese për të tërhequr shikuesin e shpërqendruar dhe shtypi i shkruar, me lajme, analiza e komente që nuk i ke lexuar kudo një ditë më parë. 

Por, kjo sa vjen e po bëhet më e vështirë, teksa burimi kryesor i të ardhurave të tyre, reklamat, po vjen në tkurrje, me bizneset e mëdha që jo vetëm po shkurtojnë vazhdimisht buxhetet e marketingut, por edhe po orientohen drejt reklamimit online.

LEXO EDHE:  Bordello 'on-line', dy persona përfundojnë në pranga

Prej disa vitesh, tregu i reklamave në vend vlerësohet i mbërthyer në shifrat e 37-39 milionë euro në vit, ku peshën kryesore e zënë televizionet, me rreth 70% të totalit. Ato po arrijnë të rezistojnë me një luhatje prej rreth 3% në vit, herë në rritje e herë në rënie. Me tkurrje dyshifrore është shtypi i shkruar që po bie vazhdimisht nga konkurrenca e fortë që po vjen nga mediat online.

Këto të fundit janë të vetmet që po i gëzohen rritjes së reklamave, teksa bizneset po orientohen drejt kësaj forme eficiente të shënjestrimit të tregut të synuar, duke kanalizuar në këtë drejtim atë që kursejnë nga shtypi i shkruar. Reklamat Outdoor e morën veten pas rënies në 2015-n, për të shënuar sërish tkurrje në 2017-n.
Në kahun e biznesit, buxhetet e marketingut veçse po tkurren, sidomos nga kompanitë e telekomunikacionit, që janë dhe reklamuesit më të mëdhenj në vend. Mbyllja e Plus Communication në fund të 2017-s hoqi nga tregu i reklamave rreth 1 milion euro në vit.

Tregu i reklamave 2016-2017

Në total, tregu i reklamave në vend në vitin 2016 vlerësohet të ketë arritur në rreth 39.3 milionë euro, me rritje të lehtë me rreth 3%, i udhëhequr nga përmirësimi i të ardhurave të televizioneve, rritjes së fortë online dhe një periudhe më të mirë të operatorëve outdoor.

“Monitor” e ka bërë vlerësimin e tregut të reklamave për 2016, duke u nisur nga tregues direktë të matur nga disa drejtime:
-të ardhurat e kategorive kryesore të tij, televizioneve, shtypit të shkruar, outdoor dhe online, të matura në pjesën kryesore nga xhiro që aktorët kryesorë kanë deklaruar në bilancet e tyre të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
-shpenzimet e kompanive kryesore për marketing, kryesisht telekomunikacione, banka, produktet që lëvizin shpejt nga rafti (FMCG), sipas raportimeve të detajuara në bilancet përkatëse.

LEXO EDHE:  Ja mallrat më të kërkuar nga shqiptarët në internet

Për vitin 2017, vlerësohet se tregu në përgjithësi ka rënë me 2.2%, për të arritur në 38.4 milionë euro. Të gjitha segmentet, me përjashtim të atij online, kanë raportuar rënie, që më e madhe ka qenë për shtypin e shkruar.
Vlerësimi i vitit 2017 është bërë duke u bazuar në sasinë e sekondave (njësi shitjeje e televizionit) të reklamës të transmetuar në mediat televizive, sipërfaqes (në cm²) në shtypin e shkruar, online (px²) dhe në outdoor (m²) sipas të dhënave të siguruara nga kompania monitoruese Idra Media (të dhënat e sakta, sipas bilanceve të raportuara nga televizionet, radiot, kompanitë outdoor janë të disponueshme vetëm pas korrikut).

Edhe për vitin 2018, ekspertët e agjencive të reklamave në vend nuk janë shumë optimistë. Kompanitë po vijojnë të shkurtojnë buxhetet e marketingut, si një reflektim ndaj situatës jo shumë të mirë ekonomike. Opsioni më i mirë, sipas tyre, është që tregu të qëndrojë të paktën në nivelet e 2017-s./monitor

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook