Ballina Aktualitet Zbatimi i taksës së infrastrukturës, probleme me 2305 ndërtime në proces legalizimi

Zbatimi i taksës së infrastrukturës, probleme me 2305 ndërtime në proces legalizimi

Taksa e ndikimit në infrastrukturë, sipas ligjit, zbatohet edhe tek ndërtimet pa leje që janë në proces legalizimi, por duket se në disa raste është hasur ngërç sa i përket arkëtimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kryer së fundmi një auditim në gjashtë prej drejtorive rajonale të Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Ndërtimeve Informale ku, të paktën për 2305 raste janë konstatuar problematika që lidhen me taksën e infrastrukturës.

E gjitha kjo lidhet me një përplasje që është vënë re në aktet ligjore ku ligji “Për Legalizimet”, i ndryshuar, nënvizon se në dokumente duhet të paraqitet vërtetimi për pagesën e taksës së infrastrukturës. Pra kusht legalizimi është pagesa para marrjes së lejes së taksës që mblidhet nga njësitë e qeverisjes vendore.

Ndërkohë që në një vendim të Këshillit të Ministrave, që lidhet me zbatimin e ligjit për legalizimet, thuhet se kjo pagesë takse bëhet pasi ALUIZNI kalon në Hipoteka listën e objekteve informale që legalizohen dhe këtë ua nis edhe njësive vendore që të arkëtojnë detyrimin që u takon.

Propozim për ndryshime ligjore
Lidhur me këtë ngërç ligjor KLSH ka propozuar që të bëhet ndryshimi përkatës tek aktet nëligjore.

“Pika 5 e VKM-së nr.860, datë 10.12.2014 “Për përcaktimin e mënyrës së mbledhjes dhe administrimit të të ardhurave për ndërtimet pa leje dhe vlerave të zbatueshme për legalizim”.

Ishte: “Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, në përputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006,“Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Për zbatimin e kësaj pike, drejtoritë e ALUIZNI-t, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore, në momentin e dërgimit për regjistrim në ZVRPP, të dhënat e ndërtimeve që pajisen me leje legalizimi”

LEXO EDHE:  EMRI/ 43-vjeçari drejtonte mjetin i alkolizuar, përfundon në kanal

Bëhet: Taksa vendore e ndikimit në infrastrukturë, për ndërtimet e legalizuara, pavarësisht nga funksioni i tyre, të llogaritet, arkëtohet dhe administrohet nga njësitë e qeverisjes vendore, nëpërputhje me përcaktimet e ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006,“Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar.

Drejtoritë e ALUIZNI-t: a- Për zbatimin e kësaj pike, të vënë në dispozicion të njësive të qeverisjes vendore të dhënat e ndërtimeve që do të pajisen me leje legalizimi. b- Në momentin e lëshimit të lejes së legalizimit të administrohet në dosjen e objektit informal vërtetimi mbi pagesën e taksës së ndikimit në infrastructure” thuhet në raportin e KLSH.

Korça dhe Tirana bëhen shkak për ndryshimin ligjor
Shkak për ndryshimet e propozuara nga ana e KLSH janë bërë rastet e evidentuara në Tiranë dhe në Korçë ku për respektivisht 1660 dhe 375 ndërtime. “ALUIZNI ka dërguar pranë Bashkisë Tiranë vetëm shkresën për llogaritjen e pagesën e taksës së ndikimit në infrastrukturë, pa marrë konfirmim mbi pagesën e Taksës së Ndikimit në Infrastrukturë për dalje me vendim kualifikimi duke krijuar një mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në vlerën 32,385,690 lekë” thuhet në raportin e KLSH. E njëjta situatë vlen edhe për Korçën veçse në këtë rast mungesa e të ardhurave është 38 milionë lekë.

Drejtoritë e përfshira në auditim janë Drejtoria e Përgjithshme e ALUIZNI-t, Tirana 2, Korça, Gjirokastra, Lezha, Agjencia e Trajtimit të Pronës Tiranë./Monitor.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook