Ballina Aktualitet Zbulimi i rrjetit të trafikantëve që nisnin emigrantë drejt “Tokës së Premtuar”,...

Zbulimi i rrjetit të trafikantëve që nisnin emigrantë drejt “Tokës së Premtuar”, reagon Ambasada britanike në Tiranë

SHPËRNDAJE

Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar pas denoncimit mbrëmjen e djeshme në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku një grup i organizuar trafikantësh dërgonin emigrantë klandestinë nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Në reagimin e saj, Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë, thekson se është ngritur Task Forca e Krimit të Organizuar të Emigracionit, e cila funksionon në 17 shtete dhe lufton bandat e lidhura me trafikimin e njerëzve.

“Ne, prej shumë kohësh, jemi në dijeni të ekzistencës së bandave kriminale që ofrojnë shërbime për të lehtësuar hyrjen e paligjshme në Britaninë e Madhe. Britania e Madhe ka rritur shkëmbimin e informacionit të përpunuar me partnerët europianë dhe me ata ndërkombëtarë, në kuadër të shënjestrimit të bandave të lidhura me trafikimin e njerëzve, duke ngritur kështu Task Forcën e Krimit të Organizuar të Emigracionit, që funksionon në 17 shtete. 

Ndërsa më tej, Ambasada britanike shton se: “Çdo vit humbasin shumë jetë të pafajshme, sepse njerëzit u japin besim kriminelëve, interesi i vetëm i të cilëve janë paratë që ata përfitojnë. Rrallëherë merret parasysh siguria e atyre që udhëtojnë. Ne e kuptojmë se disa njerëz e gjejnë veten në një situatë të pashpresë, megjithatë jeta e tyre nuk duhet kurrsesi të rrezikohet në të tilla udhëtime”

Kujtojmë që mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare” u dokumentua i gjithë rrugëtimi i shqiptarëve drejt “tokës së premtuar”, me anë të kamerave të fshehta.

Sekserët kërkonin nga 9 deri në 11 mijë euro për dërgimin e një qytetari drejt Anglisë.

Ndërkohë që fillimisht udhëtimi nga Shqipëria drejt Belgjikës bëhej me autobus, ndërsa më pas kalimi drejt Britanisë së Madhe realizohej me autobusë, kamionë ose jahte.

Gjithashtu sekserët treguan se kanë dhjetëra “prenotime”, nga të gjitha qytetet e Shqipërisë.

Sipas tyre, meshkujt trafikohen më lehtë, ndërsa për vajzat dhe fëmijët është shumë më e vështirë, pasi kërkohet pagesë më e madhe për to.

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook

Comments

comments