Nga Jagoda Marinić “World Crunch”

Mynih – Skena të tilla, nuk janë të denja për Gjermaninë; janë skena që nuk duhet të ndodhin në një shoqëri të begatë. Për shembull, këtë verë u ula me miqtë e mi në një kafene buzë njërit prej liqeneve në Berlin, dhe porositëm një tas të madh me akullore me krem.
Kur një familje prej 4 anëtarësh u ul pranë nesh, nëna e fëmijëve po shihte me nervozizëm nga babai. Ky u përkul përpara dhe i pëshpëriti:”Çdo gjë është në rregull”. Ajo tundi kokën. “Do ta kthej, të premtoj!”. Fëmijët morën tasat e tyre me akullore. Kjo ishte një rutinë për ta, por diçka e dhimbshme për prindërit e tyre.
Kjo është vetëm një nga skenat e shumta të përditshme në Gjermani, ‘motorin’ e Europës që raporton suksesese të njëpasnjëshme ekonomike. Natyrisht, asnjë fëmijë nuk ka nevojë për një tas akullore për të mbijetuar, apo për një ditë pushimi në liqen. A mund të quhet kjo varfëri? Apo a janë fëmijë të varfër, ata që nuk munden të shkojnë dot në liqen, pasi nëna e tyre mezi u siguron jetesën si një prind i vetëm?
Ndoshta këto nëna dëshirojnë t’i shmangen skenave të tilla në publik. Në shoqëritë industriale të zhvilluara, varfëria është kryesisht femërore. Pas gruas, kategoria e dytë më e varfër është rinia, e ardhmja e vendit. Katër milionë e gjysmë fëmijë në Gjermani jetojnë në varfëri; fëmijë që nuk do të marrin më të mirën nga ky vend, dhe as nuk do të jenë në gjendje të japin më të mirën e tyre. Jo, lëvizshmëria sociale nuk është një histori suksesi “Made in Germany”.
Në vitet 1960, lufta kundër varfërisë po zhvillohej në mbarë botën. Në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Lindon B.Xhonson shpalli një “luftë kundër varfërisë”. Reduktimi i varfërisë në vendet perëndimore, ka qenë kaq i suksesshëm, saqë njerëzit flasin tashmë për një “varfëri relative”.
Ata përballen tani me një sfidë të re:Sa mund të flasim për varfërinë relative ? Si e shpallim luftën ndaj një forme të tillë varfërie? Si mund të shpjegojmë, se çfarë do të thotë mungesa e pjesëmarrjes për njerëzit? Varfëria shqyrtohet nga çdo kënd. Ajo shihet gjithnjë e më tepër, si një kërcënim i drejtpërdrejtë për demokracinë.
E megjithatë, tema e varfërisë përfshin rrallë emocionet e njerëzve:Ajo nuk krijon shumë debate, nuk nxit protesta. Metodat për të analizuar varfërinë përditësohen vazhdimisht, gjë që ndihmon në matjen e varfërisë dhe nevojave të atyre që jetojnë në varfëri relative.
Rreziku i padukshmërisë së varfërisë për shkak të nevojës së kohezionit social, u zbulua nga votimi i Brexit:ndërmjet viteve 2013-2015, numri i të varfërve në Mbretërinë e Bashkuar u rrit me 0.5 për qind. Pas kësaj për qindjeje shtrihet fati i 400 mijë britanikëve, gjendja e të cilëve
do të vihej re nga fqinjët dhe miqtë, por jo nga media dhe partitë politike.
Për më tepër, shumica e të varfërve në Mbretërinë e Bashkuar, janë ndër ata që quhen “të varfërit që punojnë”, pra njerëz që mbeten të varfër pavarësisht se e kanë një punë. Ekonomistët britanikë, shohin tashmë një lidhje të mundshme mes rritjes së popullsisë së varfër dhe rezultatit të referendumit. Po si mund të ndryshojë pasiguria e gjysmë milionë njerëzve, rezultatin e një procesi zgjedhor?
Socialistët europianë, nuk po mund të gjejnë ndonjë strategji për t’i adresuar këto probleme. Edhe ata të krahut të djathtë nuk munden, por këta së paku e dinë se si ta shndërrojnë pasigurinë dhe frikën e njerëzve në një kapital politik. Shumë majtistë, synojnë tani të mësojnë nga e djathta, në vend që t’i kushtojnë vëmendje histories, dhe të bëjnë një analizë të së tashmes.

LEXO EDHE:  Forumi Ekonomik Botëror jep alarmin: Pabarazia dhe varfëria në Shqipëri janë rritur në 5 vitet e fundit

Megjithatë, rënia e socialdemokratëve europianë, tregon se votuesit nuk e pëlqejnë këtë ADN të re të socialdemokracisë. Në një botë të globalizuar, solidariteti nuk mund të mendohet vetëm në nivel kombëtar. Njerëzit që duan solidaritet, nuk i privojnë njerëzit e tjerë që janë në nevojë, por luftojnë kundër shkaqeve të pabarazisë. Partitë demokratike, e dëmtojnë besueshmërinë e tyre duke i injoruar ato çështje.
Kush kërkon një kontribut konkret nga elita financiare, për të zgjidhur sfidat e mëdha globale, sikurse është emigracioni ilegal? Të presësh një kontribut nga ata që kapitalizojnë burimet e kontinentit afrikan, duket të jetë një kërkesë socialdemokratike.
Ndëkohë, axhenda e rendit të ditës diktohet nga e djathta. Megjithatë, hapja e shumë njerëzve ndaj çështjes së përkatësisë, mund të interpretohet gjithashtu si një shqetësim për të pasigurtët:”A më garanton mua shteti si qytetar?”. Kur tronditet besimi tek shteti i mirëqenies sociale, entuziazmi ndaj solidaritetit zvogëlohet – dhe qytetarët e shohin veten si luftëtarë të vetëm.
Ndërkohë, qiratë e larta po i shtyjnë njerëzit nga klasa e mesme, të dalin nga pjesa e vjetër e qyteteve. Sigurisht, debati mbi varfërinë nuk sillet rreth asaj nëse njerëzit mund të përballojnë ose jo të jetojnë në një apartament në zemër të qytetit.
Por debati i varfërisë në një shoqëri të begatë, duhet të përfshijë më shumë ata që kanë frikë nga varfëria për shkak të përjashtimit social që krijon ajo. Zgjidhjet radikale siç janë të ardhurat themelore universal, duken ende tepër ambicioze, ndërsa përhapet me shpejtësi frika mbi robotizimin e punës. Punëtori i tepërt, nuk është një demokrat i besueshëm; ai është një njeri i ndrojtur.
Aktualisht ai nuk ka parti. Kjo nuk është një “frikë gjermane”. Është një ndryshim i thellë për të gjithë shoqërinë perëndimore. Dhe ata që duan të udhëheqin politikën tone, duhet të flasin për këtë, dhe të diktojnë ndryshimet reale, pa krijuar frikëra të reja.