Artan Fuga nji nga gazetarët më të njohur në vend dhe pedagog i shquar, njihet për natyrën e tij të butë dhe miqësore me njerëzit ku herë pas here teksa udhëton na sjell disa copëza nga përditshmëria e tij dhe eksperienca e gjerë që ka.

Fuga këtë herë kishte qenë në Durrës ku makina e tij ishte shpuar nga një gozhdë në rrotë dhe ky i fundit kishte ndaluar në një gomisteri tek rrota e kuqe ku ishte takuar me punojësin e e gomisterisë që e kishte ndihmuar dhe shumë mjeshtërisht i kishte rregulluar problemin. Fuga i mahnitur nga aftësia e këtij zanatçiu u frymëzua dhe shkroi diçka për të por dhe të gjithë ne tek profili i tij në “Facebook”.

“Me gomistin e lagjes Plazh të Durrësit Fred Dakavelli. Pasi më riparoi gomën patëm dëshirë të dalim një foto sepse edhe ca biseda përtej profesioneve tona edhe i bëmë.
Për t’i thelluar ndofta e lamë kushedi për një kafe në ditë pushimesh.
Siç thonë : Patëm një konsultim të frytshëm dhe miqësor. Unë nuk e njihja më parë sepse “halli” nuk më kishte cuar te dera e ateliesë së tij.
Mbeta edhe shumë i kënaqur si klient.
Nuk heq dorë nga bindja ime. Teknikët i bëjnë punët më mirë se llafollogët teoricienë.
Zanatcinjtë janë shtylla kurrizore e një kombi kur kombi dëshiron ta vazhdojë rrugëtimin e tij në shekuj. Poqese ka vendosur të bëjë vetëvrasje kolektive le t’i cojë të gjithë cunat dhe gocat e veta të bëhen poetë, nëpunës, apo specialistë të shkencave politiko-analitike.
Pa punë, pa punë, pa punë.
Fredi ma hoqi gozhdën nga goma, e punoi mirë e bukur kapertonin nga brenda, dhe unë vazhdova i qetë rrugëtimin me gomën e kolauduar për bukuri e centruar perfekt.
Sa më afër profesionit, sa më afër objekteve, sa më afër procedurave konkrete, sa më të hapur ndaj transparencës së njerëzve, sa më e ndarë në pjesë puna që bën, aq më shumë njeriu është i kthjellët, i qartë, i saktë.
Nisni dhe flisni për gjëra të përgjithshme, globale, që nuk janë as profesioni juaj dhe as kanë lidhje me dijet tuaja, që i shihni nga lart dhe nga larg, dhe menjëherë nisim të delirojmë dhe flasim e shkruajmë kodra pas bregut!
Nejse, të lumshin duart Fred Dakovelli! Aty te Rrota e Kuqe e keni në Plazh!”