Pas dëshmisë së deputetit Ervin Salianji dhe këshilltarit ligjor Gazmend Bardhi paraditen e sotme, në ambientet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda ka mbërritur për të dhënë dëshminë e tij edhe deputeti Enkelejd Alibeaj.

Tre zyrtarët e PD ishin thirrur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në lidhje me audio-përgjimin ku implikohet Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi janë tre demokratët që kanë bërë denoncimet për këtë çështje, duke nisur me dënimin në Itali të Agron Xhafaj, më pas me akuzat për ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj se ka ndryshuar kodin penal për të mbrojtur vëllain e tij e deri tek publikimi i audio përgjimit.

Pas tre zyrtarëve demokratë, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda pritet të dëshmojë edhe gazetari Jetmir Olldashi i cili është personi që ka realizuar përgjimin vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj si dhe ka kryer intervistën me Albert Veliun i njohur si ‘Bashkëpunëtori X’ që shfaqet në audio-përgjim me Agron Xhafën.

Gazetari do të pyetet për ‘bashkëpunëtorin X’, Albert Veliu, takimet me të dhe çështjet e përmendura në përgjim. Pas dëshmive pritet të nisë edhe ekspertiza e audio-përgjimit.

Kujtojmë se pas dëshmisë së tij në Prokurori, Ervin Salianji deklaroi se ka edhe pjesë të tjera të audio-përgjimit të siguruar nga gazetari Jetmir Olldashi që sipas tij implikohet më shumë Agron dhe Fatmir Xhafaj.

LEXO EDHE:  “E marrtë e mira, duhet…”, deputeti demokrat përgatit “kryqëzimin" e Saimir Tahirit

Për të marrë lajmet e fundit të “DuaLajm.com”, ndiq edhe faqen tonë në Facebook