Emiliano Sala u ka dërguar një mesazh zanor miqve të tij, pak para se të zhdukej aeroplani në të cilin ndodhej mbi Kanalin Anglez (La Manche) të hënën mbrëma.

Futbollisti i porsatransferuar i Cardiff Cityt dyshohet ta ketë humbur jetën, pasi aeroplani ka dalë nga radari në veri të Alderney në Les Casquets, rreth orës 20:23 të të hënës, vetëm një orë pas nisjes nga aeroporti Atlantique i Nantes. Aeroplani i vogël Piper PA-46 Malibu ishte nisur për në Cardiff, ku duhej të vazhdonte karriera e sulmuesit argjentinas.

Faqja argjentinase, Ole.com.ar, e ka publikuar një audio mesazh, i cili thuhej se është dërguar në një grup në WhatsApp të përbërë nga miqtë dhe shokët e 28-vjeçarit. “Përshëndetje vëllezër të vegjël, si jeni njerëz të krisur? Vëlla, jam vërtet i lodhur, isha këtu në Nantes duke bërë gjëra, gjëra, gjëra dhe gjëra, dhe nuk po ndalen kurrë, nuk ndalen, nuk ndalen”.

“Jam në një aeroplan që duket se po shkatërrohet dhe po shkoj në Cardiff, çmenduri, nesër veç fillojmë, kurse pasdite nisim stërvitjen, djema, në ekipin tim të ri”, ka thënë fillimisht ai.

Ndërsa më pas, siç transmeton Daily Mail, Sala ka thënë: “Si jeni njerëz, krejt mirë? Nëse nuk merrni ndonjë lajm nga unë brenda një ore e gjysmë, nuk e di nëse duhet ta dërgoni dikë të më gjejë… Sa shumë frikë që kam!”.

LEXO EDHE:  Trupi që u gjet në rrënojat e aeroplanit është i Emiliano Sala

Sala ishte dërguar në aeroport nga miku i tij, mbrojtësi i Nantes Nicolas Pallois, të cilit i kishte thënë edhe para nisjes se kishte frikë nga ai udhëtim. Me të njëjtin aeroplan, sulmuesi kishte udhëtuar nga Cardiffi në Francë të dielën dhe ishte ankuar për pasiguri.

Porsa kishte hipur në aeroplan për t’u kthyer në Angli, futbollisti u kishte shkruar shokëve të tij se aeroplani bënte zhurma të çuditshme.

Policia e Guernseyt i ka gjetur disa objekte që lundronin mbi ujë, por nuk ka arritur të konfirmojë nëse kanë qenë nga ai aeroplan.

Ndërkohë, ekipet e kërkim-shpëtimit mbrëmjen e së martës i kanë pezulluar kërkimet, të cilat do t’i rifillojnë sot në mëngjes.