Baftjar Rusi, një nga avokatët e Klement Balilit megjithëse diskret ka dhënë disa detaje të reja nga dorëzimi i klientit të tij në polici pas rreth 3 vitesh të shpallur në kërkim.

Ai u vetëdorëzua dhe nuk i dha meritat policisë. I pyetur se ku fshihej gjatë gjithë kohës, Rusi deklaroi se ai sot ka dalë nga shtëpia e vet.

Arsyet pse ai zgjodhi pikërisht këtë moment ai tha se i mbaroi afati i hetimit dhe dosja shkon në gjykatë.

“Para 1 viti kemi qenë tek ky TV, vëllai i Klement Balilit, Bashkimi dhe kam qenë dhe unë. Kemi deklaruar që në një moment të caktuar ai do vetëdorëzohet. Ishte momenti sepse mbaroi afati i hetimit. Ç’rëndësi ka ku ishte. Ai doli nga shtëpia e vet sot”, tha avokati Rusi.

Ndërsa gazetarja Klodiana Lala tregoi se Balili ka lëvizur sot nën hundën e policisë.

“Ai doli nga shtëpia e vet, i përshëndeti të gjithë dhe nën hundën e policisë shkoi në pikëtakimin që kishte lënë me drejtorin e policisë”, tha ajo.

Për analistin Shpëtim Nazarko ky vetëdorëzim i papritur i Balilit nuk përbën çudi. “Nuk shoh ndonjë çudi të madhe. Vetëdorëzimi dhe arrestimi janë të njëjta”, tha ai.