Një konflikt në familje mes babait dhe vajzës ka përfunduar me një të plagosur dhe dy nën hetim.

Policia e Korçës thotë se ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj A.C., 54 vjeç, si edhe ndaj vajzës së tij K.C., 16 vjeçe, të dy banues në Maliq.

Procedimi ndaj tyre filloi pasi këtë të martë, në banesë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se kryefamiljari ka rrahur dhe keqtrajtuar vajzën e tij.

Kjo e fundit në gjaknxehtësi e sipër dhe duke tentuar të mbrohej, ka rrëmbyer një thikë në kuzhinë dhe ia ka ngulur të atit në pjesën e parakrahut.

I dëmtuari pas mjekimit të marrë në spitalin e Korçës, u dërgua në Tiranë për mjekim të specializuar.

Ndërkohë adoleshentja e dhunuar, u pajis me urdhër mbrojtje.

Lidhur me këtë ngjarje hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme, teksa detajet janë të rezervuara.