TIRANË

Ka nisur procesi i iniciuar nga maxhoranca për shkarkimin e Presidentit të Republikës Ilir Meta. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka paraqitur kërkesën për shkarkimin e Kreut të Shtetit në Komisionin e Ligjeve.

Sot do të miratohet kalendari i shqyrtimit të kërkesës, do të caktohen relatorët dhe do bëhet prezantimi i kërkesës nga nismëtarët. Më 24 qershor pritet vazhdimi i procedurës së shqyrtimit në një seancë diskutimi.

Më 26 qershor do të jetë dhe përmbyllja e procedurës së shqyrtimit dhe votimi i propozimit, çka do të pasojë me përgatitjen dhe përcjelljen e raportit seancës plenare.

Kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja tha se Presidenti është njoftuar për kërkesën dhe se nëse dëshiron mund të paraqitet në komision. Ai njoftoi ngritjene e komisionit hetimor.

“Presidenti i Republikës është njoftuar nga Kryetari i Kuvendit. Do ta dëgjojmë Presidentin në Komision nëse dëshiron. Do të ngremë komision hetimor”, deklaroi Manja.

Ndërkohë Taulant Balla tha se dekreti i Presidentit është në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe se ka cenuar sovranitetin e popullit.
“Presidenti nxori dekretin për anulim të datës 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale. Me anulimin e datës, duke e konsideruar si shkelje të rëndë të Kushtetutës, kemi depozituar kërkesën për shkarkim. Dekreti vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese pasi është cenuar rëndë sovraniteti i popullit. Presidenti i hoqi sovranit të drejtën për të qenë i tillë. Anulimi dhe moscaktimi i një date të re zhbën të drejtën e sovranit për të qenë i tillë. Presidenti zgjati afatin e qëndrimit në detyrë të organeve të pushtetit vendor. Bie në kundërshtim me parimet kushtetuese që përcaktojnë periodicitetin e zgjedhjeve”, deklaroi Balla.

Ai theksoi se Presidenti ka cënuar rëndë Kushtetutën si akti më i lartë në Republikën e Shqipërisë.
“Nisur nga natyra e aktit të Presidentit, duke u sjell arbitrarisht, duke cenuar parimin e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, duke nxjerrë akte në kundërshtim me Kushtetutën, vlerësojmë se këto përbëjnë shkelje shumë të rënda nga Presidenti aktual dhe për pasojë kërkojmë nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit të Republikës”, deklaroi Balla.